Këshilli i Europës thirrje Serbisë: Prano gjenocidin, kërko falje për Srebrenicën

518
Komisioni Europian Kundër Racizmit dhe Intolerancës, ECRI, tha në një raport të publikuar të martën se ndërsa transmetuesi publik serb RTS ka pranuar rolin e tij si një mjet propagandë në vitet 1990 dhe se parlamenti dhe presidenti serb të dy kanë kërkuar ndjesë për masakrën e Srebrenicës, ata ende nuk e pranojnë shkallën e krimeve të kryera.
“Megjithatë, ECRI shpreh keqardhjen për faktin se asnjëri prej tyre nuk ka pranuar shprehimisht se këto masakra përbënin gjenocid, siç është përcaktuar nga gjykatat ndërkombëtare, dhe i vjen shumë keq për progresin e ngadaltë që është bërë në ndjekjen penale dhe dënimet për gjenocidin dhe krimet e tjera raciste të luftës,” thuhej në raport.
Në korrik të vitit 1995 forcat serbe të Bosnjës masakruan më shumë se 7,000 burra e djem boshnjakë. Zyrtarët serbë vazhdojnë të mohojnë se masakrat e Srebrenicës ishin gjenocid.
“Liderët politikë duhet të pranojnë zyrtarisht se masakrat e kryera në Srebrenicë përbënin gjenocid,” tha drejtori i ECRI Christian Ahlund në një deklaratë me shkrim. Ai shtoi se një pranim i tillë, si edhe hetimet transparente në të gjitha rastet e dhunës janë absolutisht të nevojshme për t’u siguruar që njerëz të komuniteteve të ndryshme etnike nuk duhet të jetojnë me frikën e kanosjes apo të një vale të re krimesh urrejtjeje.
ECRI theksoi më tej vendin për përmirësime, duke cituar se në Serbi duhet bërë ende shumë për të trajtuar një rritje të vazhdueshme në gjuhën e urrejtjes, luftën ndaj racizmit midis tifozëve të futbollit, mbrojtjen e romëve dhe personave LGBT dhe rritjen e ndjekjes penale të krimeve të luftës.
“Përdorimi gjuhës nxitëse është shenjë që tregon situatën para luftërave të fundit në rajon,” theksuan ekspertët e ECRI-së.
ECRI është një organ ti të drejtave të njeriut i Këshillit të Europës, i përbërë nga ekspertë të pavarur, që monitorojnë rastet e racizmit, ksenofobisë, antisemitizmit, intolerancës dhe diskriminimit.
Raporti identifikon specifikisht racizmin midis grupeve të tifozëve të futbollit dhe rekomandoi që autoritetet të ndalojnë tifozët e klubeve raciste të futbollit.
“Kjo çështje është e një rëndësie të veçantë, duke marrë parasysh rolin që grupet raciste dhe të dhunshme të tifozëve të futbollit luajtën në shpërthimin e luftërave të fundit në rajon,” thekson raporti.
ECRI paralajmëroi se dhuna kundër romëve vazhdon ende në Serbi dhe se dhuna homofobike dhe transofobike raportohet shumë pak.
Raporti theksoi gjithashtu progres, përmirësime në legjislacionin dhe praktikat kundër urrejtjes, si edhe rritjen e rekrutimit të oficerëve me origjinë shqiptare dhe faktin që strategjia anti-diskriminim e vendit parashikon prezantimin e legjislacionit për të regjistruar partneritetet të të njëjtit seks.
Sigal