Kerry: Ndërhyrja në Siri u pengua nga Britania e Madhe

482
Sigal

Plani i Barack Obamës
për ndërhyrjen ushtarake në Siri u ndal befas nga David Cameron dhe Parlamenti
britanik. Kështu deklaroi kryediplomati amerikan John Kerry, duke fajësuar
Mbretërinë ishullore për dështimin e politikës me Sirinë

Vite më parë, Obama tha
se do të bombardonte regjimin sirian nëse do të përdorte armë kimike, por edhe
pasi kjo u provua, Shtetet e Bashkuara nuk e mbajtën premtimin, diçka që
konsiderohet si njolla më e keqe në trashëgiminë e Obamës.

Vota e Parlamentit
britanik konsiderohet prej kohësh nga Obama e të tjerë, si një faktor që ndali
planin, por Kerry e hedh të gjithë fajin mbi Britaninë, vetëm një javë pas
përballjes diplomatike me kryeministren Theresa May për rezolutën e OKB-së që
dënoi Izraelin.

“Presidenti i Amerikës
vendosi të përdorë forcën dhe e tha këtë publikisht për të reaguar ndaj
shkeljes së ligjit ndërkombëtar dhe ‘vijës së kuqe’ që ai kishte zgjedhur. Por
David Cameron zgjodhi të kërkonte lejen e Parlamentit dhe dështoi atje”,
deklaroi Kerry, duke shtuar se kjo bëri që edhe Obama të konsideronte lejen e
Kongresit.

Sipas tij, kjo vonoi
ndërhyrjen dhe më pas, arritja e paktit për eliminimin e armëve kimike të
Sirisë e nxorri atë jashtë loje. Diplomati amerikan deklaroi se perceptimi i
shumë njerëzve, se Obama po kërkonte një rrugë tjetër pavarësisht premtimit,
ishte ai që lëndoi më shumë.