KE i tërheq vëmendjen Gjermanisë: Mbani premtimet për refugjatët

504
Në raportin e fundit të progresit të hartuar nga Komisioni Europian rezulton se, Greqia dhe Italia duhet të bëjnë më shumë për të ndalur fluksin e refugjatëve që mbërrijnë në kontinent, ndërkohë që paralajmëron të tjera vende, si Gjermania dhe Turqia, që të përmbushin premtimet e tyre për të adresuar krizën. Duke shpjeguar raportin e progresit të BE-së, Komisioneri përgjegjës për politikat e Emigracionit, Dimitris Avramopoulos tha se duhet bërë përshpejtimi i procedurave në të ashtuquajturat “pikat e nxehta”, ku kalojnë refugjatët.

Sipas raportit, në këto pika ku merren shenjat e gishtërinjve të refugjatëve, duhet të merret dhe vendimi nëse ata mund të qëndrojnë në Europë, apo të kthehen mbrapsht. Dokumenti përsëriti gjithashtu se, përpjekja për të shpërndarë refugjatët në bazë të kuotave, çfarë është vendosur që vjeshtën e kaluar, po ecën shumë ngadalë. Po ashtu, Komisioni vendosi se do të ndërmarrë masa ligjore kundër disa vendeve, që kanë dështuar për të zbatuar plotësisht ligjet, që lidhen me politikën e azilit. Këtu përfshihen vende si Gjermania, Estonia, Greqia, Franca, Italia, Letonia dhe Sllovenia. Raporti i progresit thekson se, veçanërisht Italia nuk ka bërë aq sa duhet për të kthyer mbrapsht ata, të cilët nuk kanë të drejtën për të fituar azil, ndërkohë që i bën thirrje Turqisë të vazhdojë përpjekjet e saj në drejtim të zbatimit të plotë dhe efektiv të planit. Nga ana tjetër, edhe Austria është shprehur se do të presë më pak refugjatë. Shefi i diplomacisë austriake, Sebastian Kurz është duke bërë një tur në shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku deri tani ka folur për integrimin e rajonit, por edhe për mundësinë e zvogëlimit të valës së refugjatëve drejt Europës. Në kohën kur Kroacia po mbyll kampet e refugjatëve, por edhe Sllovenia flet për mbyllje kufijsh, ministri austriak ka paralajmëruar se, Austria mund të marrë deri në rreth 37 mijë refugjatë, pasi vitin e kaluar ka pranuar 90 mijë.
“Kemi njoftuar edhe qeveritë e Bosnjës dhe të Serbisë se, ndoshta do të vijë deri te ndryshimi i situatës. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë vendet e rajonit për uljen e numrit të refugjatëve. Ky është interes i përbashkët dhe Austria është e gatshme t’u vijë në ndihmë vendeve të Ballkanit”, -tha Sebastian Kurz, ministër i Jashtëm i Austrisë. Kyeministri serb, Aleksandar Vuçiç tha se, Serbia nuk do ta mbyllë kufirin, por do të merren masat e duhura. Në këtë kohë, pavarësisht vëmendjes së vogël që ka ndaj situatës, qindra refugjatë arrijnë në Ballkan çdo ditë. Nëse kjo do të zgjasë, mund të pritet drejtimi i refugjatëve drejt vendeve të rajonit. Kurz e Vuçiç kanë thënë se, dialogu me Kosovën, por edhe stabiliteti në rajon janë të rëndësishëm.
Sigal