KE gati 7 mld euro fonde emergjence për Greqinë

161
Ndërsa deputetët në parlamentin grekë po debatojnë për të votuar marrëveshjen e nënshkruar nga kryeministri Tsipras në Bruksel, Komisioni Europian, mendohet të ketë propozuar që vendit t’i akordohet një hua afatshkurtër prej 7 miliardë eurosh për të mbuluar nevojat financiare të korrikut.
Sipas një dokumenti të zbuluar nga agjencia Reuters, kredia në fjalë do të ketë një afat maturimi prej 3 muajsh dhe do të sigurohet nga Mekanizmi Europian Financiar i Stabilizimit, në të cilin marrin pjesë të gjithë 28 shtetet e unionit. Prandaj mbetet për t’u parë nëse ky propozim do të realizohet, pasi Mbretëria e Bashkuar dhe Çekia, dy vende që janë jashtë eurozonës, e kundërshtojnë fuqimisht.
Në sallën e parlamentit, ku duket se Tsipras ka humbur mbështetjen e 30 deputetëve të Syriza-s, por do të ketë votat e opozitës për të kaluar masat shtrënguese, debatet më të forta janë pikërisht brenda radikalëve të majtë.
“Sigurisht që kjo marrëveshje për shumë nga ju mund të kontribuojë të kthimi në reçesion, por duke qenë se kemi shmangur daljen nga euro nën drejtimin e Syriza-s, atëherë nuk do të kemi më kurrë Grexit”
“Ky parlament nuk duhet të votojë këtë shantazh, nuk duhet ta pranojë këtë shantazh që i është bërë qeverisë”
“E gjithë Syriza nuk e votoi programin e parë të shpëtimit. As të dytin nuk e votuam dhe kishim të drejtë. Nuk kam ndërmend të votoj as këtë program të tretë”
Ndërkohë, në qendër të Athinës, protesutes të shumtë janë mbledhur për të kundërshtuar disa nga masat shtrënguese më të ashpra që i janë vendosur vendit, në këmbim të një programi shpëtimi me vlerë 86 miliardë euro, pavarësisht se kriza ka zvogëluar me 25% ekonominë, ndërsa me po aq është rritur papunësia.
Por pavarësisht rapotimeve nga agjencia kombëtare turistike se janë rritur prenotimet për pushime në ishujt e famshëm grekë, autoritetet e sigurisë po përgatiten për trazira civile në ditët në vazhdim, sidomos nga grupimet anarkiste dhe të ekstremit të djathtë.