Katër ushtarë indianë vriten gjatë përplasjes me militantët në Kashmir

442
Sigal

Nuk kanë të ndalur sulmet në Kashmir. Katër ushtarë indianë raportohet se janë vrarë në një betejë me militantët.

Përplasja ndodhi në rrethin e Pulwama, ku më shumë se 40 ushtarë indianë u vranë në një sulm vetëvrasës të enjten.

Një civil u vra gjithashtu në shpërthim, ndërsa trupat indiane filluan një operacion kërkimi në zonë.

Ndërkohë, Pakistani ka thirrur për konsultime ambasadorin e tij nga Nju Delhi, pas rritjes së tensioneve në mes të dy fqinjëve të armatosur me armë bërthamore, ka njoftuar Zyra e Jashtme e Islamabadit më 18 shkurt.

India thiri diplomatin e saj të lartë nga Pakistani pas sulmit të së enjtes – në të cilin tha se shteti pakistanez ishte bashkëpunëtor.

Policia thotë se dy militantë të bllokuar në fshatin Pulwama janë vrarë në operacionin e së hënës.

Shkëmbim i fortë zjarri është dëgjuar dhe zyrtarët e sigurisë indiane po u bëjnë thirrje fshatarëve të qëndrojnë brenda.

Policia tha se kur ata gjuajtën “të shtëna paralajmëruese” në një shtëpi në fshatin Pinglena ku militantët ishin fshehur, ata u kundërpërgjigjën. Një oficer i cili u plagos rëndë, është dërguar në spital.

Pronari i shtëpisë u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit, shtoi policia.

Sulmi vjen vetëm disa ditë pasi një sulm vetëvrasës me bombë ka lënë të vdekur të paktën 40 zyrtarë paramilitarë në territorin e kontestuar.

Ky sulm ka ngritur tensionet në mes të të dyja shteteve, derisa Nju Delhi ka kërkuar që Pakistani “të ndalojë mbështetjen ndaj terroristëve dhe grupeve terroriste” që shfrytëzojnë Pakistanin si bazë dhe ka kërkuar që po këto grupe “të shkatërrojnë infrastrukturën në të cilën kanë operuar për të nisur sulme në shtetet tjera”.

Pakistani ka thënë se sulmi me bombë vetëvrasëse ka qenë “shqetësim i thellë”, mirëpo ka mohuar përfshirjen në këtë sulm të përgjakshëm.

India ka akuzuar një kohë të gjatë Pakistanin për mbështetje të militantëve në territorin e Kashmirit, që ka shumicë myslimane.

Kjo hapësirë vazhdon të jetë kontestuese për të dyja shtetet që nga pavarësimi prej rregullit kolonial britanik më 1947.