Katalunjë, traktorët në mbrojtje të referendumit të pavarësisë

612
Kolona të gjata traktorësh, të pajisur me flamurin katalanas, kanë “pushtuar” qytetet dhe fshatrat e rajonit verilindor të Spanjës, që të gjithë në mbështetje të referendumit të ndaluar të së dielës së 1 tetorit.
Mbështetësit e pavarësisë brohoritën me të madhe teksa kolona e mjeteve bujqësore, shfaqje e quajtur si “Tractorada”, hyri në kryeqytetin e Katalunjës, Barcelonë, duke bërë edhe një rrotullim përreth katedrales së famshme “Sagrada Familia”.
Udhëheqësit katalanas kanë zbuluar më në fund edhe kutitë e votimit, të cilat planifikojnë t’i përdorin të dielën. Qeveria spanjolle në Madrid është zotuar sërish se do ta ndalojnë referendumin, të cilin e konsideron antikushtetues.
Megjithatë, në Katalunjë konsiderohet se ka ardhur “ora e së vërtetës”, pasi prej 5 vitesh qeveria e shpërndarë rajonale ka kërkuar mbajtjen e një referendumi për pavarësi nga Spanja.
E pasi miratuan një ligj në Parlamentin lokal, udhëheqësit katalanas thanë se mund ta shpallin pavarësinë nga Spanja brenda 48 orëve pas votimit.
“Pas shpalljes zyrtare të rezultatit, gjë që do të kërkojë disa ditë, do të kemi një periudhë 48-orëshe për të shpallur pavarësinë. Megjithatë, kjo nuk e përjashton mundësinë, që ne të bëjmë një tjetër apel mesnatën e 1 tetorit, për nevojën për t’u ulur në bisedime për zgjidhjen e kësaj çështjeje politikisht”, tha presidenti katalanas, Carles Puigdemont.
Rajoni i pasur prej 7.5 milionë banorësh në verilindje të Spanjës ka gjuhën dhe kulturën e tij, ndërsa gëzon edhe një autonomi në shkallë të gjerë, por ende nuk njihet si një komb më vete nga shteti spanjoll.
“Tractoradas”, apo kolona traktorësh janë parë edhe në qytetet e tjera të Katalunjës, si Girona apo Tarragona. “Ne kemi kërkuar që traktorët të parkojnë në mënyrë paqësore pranë qendrave të votimit dhe, nëse ata nga Madridi përpiqen t’i mbyllin ato, t’i pengojnë ose t’ua bëjnë atyre jetën sa më të vështirë”, tha një pjesëtar i grupit të fermerëve. “Thjesht pengojini ata dhe lërini aty, duke mos pasur mundësi nga të shkojnë”.
Ndërkohë, këtë të premte përpara gazetarëve në një konferencë për shtyp, zv.presidenti katalanas Oriol Junqueras dhe i ngarkuari për marrëdhëniet me jashtë në qeverinë katalanase, Raul Romeva, shfaqën një kuti plastike votimi, si model i vendeve ku do të hidhen votat. Policia, ndërkohë, është e urdhëruar të konfiskojë të gjitha materialet zgjedhore dhe të pengojë përdorimin e ndërtesave publike të përdoren si qendra votimi, ndërsa figura të larta të fushatës katalanase për pavarësi janë kërcënuar me hetime dhe burgim.
Sigal