Kancelarja Merkel: SHBA të bëjë më shumë për krizën e refugjatëve!

421
Kancelarja gjermane, Angela Merkel u bëri thirrje sot Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë më shumë azilkërkues duke qenë se Evropa po luftonte për t’iu përgjigjur fluksit më të madh të migrantëve që prej Luftës së Dytë Botërore. “Nuk duket aspak realiste që të supozohet se Evropa mund të menaxhojë gjithçka vetëm, pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, u tha Merkel anëtarëve të parlamentit të partisë së saj Kristiandemokrate dhe partisë simotër, Kristiansociale.

“SHBA-ja mund të marrë më shumë refugjatë nga Siria si dhe të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të jetesës për sirianët në kampet e refugjatëve në Liban, Jordani dhe Turqi”, tha Merkel. Kancelarja gjermane tha se ajo nuk pret një zgjidhje të shpejtë të krizës së refugjatëve në samitin e veçantë të së mërkurës, të udhëheqësve të BE-së.
“Nuk do të ketë një zgjidhje brenda natës”, tha ajo. “Do të na duhet durim dhe fuqi”, shtoi Merkel. Gjermania është duke marrë shumicën e azilkërkuesve në Europë, duke parashikuar regjistrimin e një milion personave këtë vit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se do të marrin të paktën 10 000 refugjatë sirianë në vitin fiskal, që fillon në tetor.
Sigal