Kancelarja Merkel mbron politikën e saj ndaj refugjatëve

494
Me gjithë kritikat kancelarja Merkel mbron politikën e saj ndaj refugjatëve dhe është kundër vendosjes së kuotave maksimale për refugjatët dhe migrantët. Migrantët legalë nga Ballkani janë të mirëpritur, tha ajo. Në një intervistë me kanalin televiziv publik gjerman ZDF kancelarja Merkel u shpreh edhe për politikën e saj ndaj refugjatëve. Jo vetëm partia simotër e CDU-së, CSU-ja, kërkon vendosjen e kuotave maksimale për pranimin e refugjatëve. Këtë e kërkojnë edhe politikanë të CDU-së, si ministri i Financave Wolfgang Schäuble, që është shprehur për një orkan refugjatësh drejt Gjermanisë. Kancelarja Merkel përsëriti formulën e saj “ne mund t’ia dalim mbanë” dhe tha se kufijtë maksimalë nuk mund të përcaktohen në mënyrë të njëanshme. Por ajo theksoi se në lidhje me refugjatët nga Afrika ndjek idenë e një reduktimi të numrit të refugjatëve ilegalë dhe përcaktimit të kontingjenteve legale si në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në lidhje me vendet e Ballkanit Perëndimor kancelarja Merkel tha, se nëse dikush nga këto vende ka një ofertë për punë nga Gjermania, ai mund të vijë dhe të punojë këtu. Ajo tha se nuk është dakord me idenë e kufizimit kohor të vizave të qëndrimit për të punuar në Gjermani për tre ose pesë vjet. Pra sipas kancelares nëse dikush mund ta vazhdojë kontratën e punës, nëse dikush studion në Gjermani dhe gjen vend pune e kështu me radhë, ai ose ajo duhet të kenë të drejtë të qëndrojnë në Gjermani. Dhe kush merr një vend pune të përhershëm në Gjermani duhet të marrë leje të përhershme qëndrimi në Gjermani. Kryeministri i landit Sachsen-Anhalt, Reiner Haseloff (CDU) dhe ministri i Financave të landit të Bavarisë Markus Söder (CSU) përsëritën në disa intervista për mediat gjermane kërkesat për përcaktimin e kuotave për refugjatët dhe emigrantët. Söder tha për gazetën “Münchner Merkur” se Gjermania mund të jetë në gjendje të integrojë 200.000 deri në 300.000 emigrantë në vit dhe se nëse vijnë më tepër, integrimi nuk do të jetë i mundur. Kurse Haseloff tha për gazetën „Bild”: “Ne duhet të bëjmë shumë shpejtë të qartë se cilat gjëra jemi në gjendje t’i bëjmë dhe cilat jo, cilat janë kufijtë tanë dhe të vendosim pas kësaj kuota maksimale për të gjithë Gjermaninë.” Duke iu referuar thënies së kancelares Merkel, se e drejta për azil nuk njeh kufij maksimalë, ai tha se kjo ndoshta është e mundshme „ndoshta në teori, por në praktikë jo.”
Sigal