Sigal

Edhe kancelari austriak Sebastian Kurz i bën thirrje qytetarëve të Maqedonisë të votojnë pro marrëveshjes për ndryshimin e emrit me Greqinë në referendumin e 30 shtatorit. Gjatë një konference për shtyp përkrah kryeministrit Zoran Zaev, Kurz përcolli mesazhin se Bashkimi Europian do të jetë më i plotë pas integrimit të të gjitha shteteve të Ballkanit.

“Ftoj të gjithë qytetarët e Maqedonisë t’i thonë “Po” marrëveshjes me Greqinë dhe perspektivës europiane. Theksoj se ky është vendimi juaj personal, dhe me të vërtetë nuk më takon mua të vendos për dikë tjetër, por si mik i Maqedonisë dhe si vend aktiv anëtar i Bashkimit Europian, ne vlerësojmë se do të ishte shumë pozitive nëse do të ketë pjesëmarrje të lartë dhe rezultat pozitiv në referendum”, tha ai.

Kryeministri Zaev duke u shprehur i bindur se referendumi do të jetë i suksesshëm, ndërsa e konsideroi vizitën e kancelarit austriak një mbështetje te fuqishme.

“Vizita juaj është mesazh i fuqishëm dhe inkurajues në prag të referendumit, në të cilin qytetarët e tanë do të zgjedhin për të ardhmen. Vizita juaj na përcjell porosinë se Republika e Maqedonisë është kthyer në rrugën e vërtetë, në rrugën evropiane”, tha Zaev.

Kancelari austriak zhvilloi takime edhe me liderin e opozitës, Hristjan Mickovski, i cili vazhdimisht ka bërë thirrje qe referendum te bojkotohet. Por gjatë pritjes se Kurc nuk munguan as incidentet, pasi ai priti në selinë e qeverise me flamurin e Letonisë, ngatërrese per te cilën u kërkua falje.

Ndërkohë të shtunën pritet që në Shkup të mbërrijë kancelaria gjermane Angela Merkel.