Juncker: “Europa ku dua të jetoj, nuk është ajo e mureve kundër refugjatëve”

466
Presidenti i Komisionit të BE-së kritikon populizmin e Shteteve: “Këta njerëz po i largohen dëshpërimit dhe luftës”
E konsideroj Europën një komunitet vlerash, për të cilën mund të krenohemi, por rrallë e bëjmë një gjë të tillë. Në Europë krenohemi për standartet më të larta globale për pritjen e refugjatëve, duke mos i refuzuar kurrë azilin dikujt që ka nevojë për mbrojtjen tonë, e vendosin ligjet dhe marrëveshjet tona. Por, më shqetëson fakti se pritja gjithmonë e më pak po rrënjoset në shpirtrat tanë. Kur flasim për emigrim, flasim për qënie njerëzore, si ne, vetëm se këta persona nuk mund të jetojnë si ne sepse nuk kanë pasur fatin të lindin në një nga rajonet më të pasura e më të qëndrueshme në botë. Kemi të bëjmë me persona që janë të detyruar t’i largohen luftës në Siri, nga terrori i Shtetit Islamik, apo nga diktatura në Eritrea. Më shqetëson fakti që një pjesë e popullsisë i refuzon ata. Kampe refugjatësh të djegura, maune të dërguara mbrapsht, dhunë ndaj azilkërkuesve ose thjesht indiferencë ndaj mjerimit e nevojës. Nuk është kjo Europa. Shqetësohem kur politikanët e së djathtës e të majtës ekstreme ‘ushqejnë’ një populizëm që prodhon pakënaqësi dhe asnjë zgjidhje konkrete. Gjuhë urrejtjeje dhe shprehje që vënë në rrezik një nga arritjet tona më të mëdha – lëvizjen e lirë në zonën Shengen. Nuk është kjo Europa.
Çështja e kufijve – Por, për fat, ekziston edhe Europa e pensionistëve të Kalais, që ndezin gjeneratorët e tyre, në mënyrë që refugjatët të mund të dëgjojnë pak muzikë dhe të karikojnë telefonat. Europa e studentëve në Siegen të Gjermanisë që kanë hapur kampusin e universitetit të tyre për azilkërkuesit. Kjo është Europa në të cilën dua të jetoj. Natyrisht që nuk ekziston një përgjigje unike e aq më pak e thjeshtë për problemin e fluksit të emigrantëve. Siç do të ishte surreale të mendosh që thjesht të hapësh kufijtë e Europës për të gjithë fqinjët, si dhe po aq surreale do të ishte t’i mbyllje dyert atyre që kanë nevojë.
Europa është një kontinent rezistent – Europa do të dështonte nëse pushtohet nga frika. Europa dështon kur ndjenjat e egoizmit kanë më shumë zë sesa prania e solidaritetit. Europa ka sukses kur kapërcejmë në mënyrë pragmatike dhe jo burokratike sfidat tona. Shpresoj që sëbashku – shtetet anëtare, institucionet dhe agjencitë e Bashkimit Europian, organizatat ndërkombëtare dhe fqinjët tanë – të tregojmë që jemi në lartësinë e duhur për t’u përballur me sfidat. Jam i bindur që mund t’ja dalim.
Sigal