Juncker e komisionerët e tij marrin “bekimin” nga Parlamenti Europian

502
Sigal

Parlamenti Europian miratoi qeverinë e re të Bashkimit Europian, Komisionin Europian të kryesuar nga Jean-Claude Juncker, gjatë seancës së votimit të së mërkurës, duke i hapur rrugën kështu këtij organi ekzekutiv të nisë zyrtarisht detyrën më 1 Nëntor.

Ekzekutivi do të përbëhet nga 28 anëtarë, (27 komisionerë dhe presidenti), të cilët zgjidhen si përfaqësues të secilit prej vendeve anëtare të BE-së, dhe do të hartojë politikat për bllokun.
 
Qeveria e re e BE-së mori 423 vota pro, 209 kundër dhe 67 abstenime. Jean-Claude Juncker, tha përpara Parlamentit Europian se do të prezantojë një plan investimesh prej 300 miliardë eurosh për të forcuar rritjen dhe punësimin deri në fund të këtij viti.

Juncker tha se investimet janë jetike për të rikthyer rritjen dhe për të krijuar vende të reja pune. Gjermania, ekonomia dominuese e Europës, u ka rezistuar deri më tani thirrjeve për të shpenzuar më shumë për nxitjen e rritjes ekonomike.

“Rregullat nuk do të ndryshohen”, tha Juncker. “Por ato mund të implementohen me një shkallë të lartë fleksibiliteti”.

Juncker u angazhua gjithashtu për një ekip politik, që do të fokusohet gjatë mandatit të ardhshëm 5-vjeçar në zhvillimin e programeve madhore, duke u lënë çështjet më të vogla qeverive kombëtare, një kërkesë kyçe kjo prej Britanisë, ku ka një rrymë të fortë për daljen e vendit nga BE.

Komisioni Europian harton ligjet e BE-së, mbikëqyr buxhetet kombëtare dhe zbaton rregullat e BE-së.