Jonathan Moore, qeveritë shqiptare të bashkëpunojnë për anëtarësimin në BE!

412
Sigal

“Qeveria dhe opozita në Shqipëri duhet të bashkëpunojnë për procesin e integrimit në Bashkimin Europian”. Kjo ishte deklarata e shprehur nga Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Jonathan Moore. Në një diskutim për Ballkanin dje në Uashington, zoti Moore la të kuptohet se lufta kundër korrupsionit nuk bëhet duke fajësuar qeverinë e mëparshme, por kur arrihet që prokurorët t’i ngrenë çështjet nëpërmjet sistemit të drejtësisë. Në diskutimin e tij si foli dhe lidhur me Kosovën. Zoti Moore vlerësoi procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe e vuri theksin te fakti që zgjedhjet komunale po zhvillohen në përputhje me legjislacionin e Kosovës.

Gjirokastër/ Zv/ambasadori amerikan Jardine, viziton me nderime varrin e Laver Bariut

 Zv./ambasadori amerikan në Tiranë, Henry Jardine, ka vizituar dje Qendrën e Ndërmjetësimit dhe Drejtësisë Restauruese (QNDR) pranë Gjykatës së Faktit në Gjirokastër. Reforma administrative, lufta kundër trafiqeve, siguria e kufijve dhe rendit publik, kanë qenë disa nga temat të cilat zv. ambasadori amerikan, diskutoi me drejtues të pushtetit vendor, Drejtorisë së Policisë, si dhe prefekten e qarkut Zamira Rami. Gjithashtu, gjatë një vizite në Përmet, sot, zv/ambasadori Jardine vendosi lule në varrin e artistit të madh Laver Bariu. Usta Laver Bariu, i cili ndërroi jetë fundjavën e kaluar, ngelet një ndër mjeshtërit e mëdhenj të traditës së shquar të sazeve në Shqipërinë e jugut. Ai ishte një figurë e shquar në muzikën isopolifonike shqiptare. Në vitin 2005, UNESCO e shpalli isopolifoninë shqiptare një kryevepër të trashëgimisë gojore dhe shpirtërore të njerëzimit.

 Stefan Fyle viziton Tiranën në 13 shkurt, diskutohen 5 pikat e BE-së

Kryekomisioneri për zgjerim në BE, Stefan Fyle, do të vizitojë Tiranën në 13 shkurt, ku duket se, misioni kryesor do të jetë vendosja e dialogut mes palëve politike. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Fyle do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të shtetit dhe politikës, me të cilët pritet të diskutojë edhe lidhur me paketën 5 pikëshe të rekomandimeve të BE, nga ku Komisioni Europian do të dalë me një tjetër raport të cilin do t’ia prezantojë Këshillit të Europës. Këshilli do të shqyrtojë në bazë të raportit, që do të prezantohet nga Komisioni, implementimin e vazhdueshëm të strategjive reformuese anti-korrupsion dhe në gjyqësor, dhe të legjislacionit të miratuar së fundmi, si dhe trendin e vazhdueshëm të hetimeve dhe ndjekjeve penale proaktive, përfshirë këtu në fushën e krimit të organizuar. Në dritën e këtij raporti Këshilli pret të ndërmarrë një vendim për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat në qershor 2014. Ndërkohë, reforma territoriale, mbetet emergjenca për të cilën palët nuk po e gjejnë rrugën e konsensusit, ndërkohë që, rrëzimi i dekreteve të Presidentit për anëtarët e gjykatës së lartë të enjten shtoi dhe më tej dozën e tensionit mes palëve.