John Kerry në Kosovë për korrupsionin, dialogun me Serbinë dhe ISIS-in

415
Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, në vizitën e parë në Ballkan si kryediplomat amerikan, të mërkurën do të nënvizojë brengën për mungesën e progresit në Kosovë, 16 vjet pas luftës të udhëhequr nga SHBA. Në një artikull, ‘Reuters’ shkruan se si Kosova po ballafaqohet me një krizë politike rreth marrëveshjeve me Serbinë dhe për frustrimin për shkak të mungesës së progresit në demokraci, çështjet e korrupsionit dhe ngecjes në integrimet evropiane. Po ashtu, theksohet se Kosova me shumicë myslimane mbetet pro-amerikane, por ka brenga në Perëndim për shkak të radikalizmit në mesin e rinisë të papunë kosovare. Reuters shkruan se së paku 200 të rinj i janë bashkuar ISIS-it. Kjo agjenci ka cituar një zyrtar të lartë amerikan, i cili thekson se Kerry do të udhëtojë në Kosovë për të mbështetur ndërtimin e shtetit demokratik, forcimin e sundimit të ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Po ashtu Reuters raporton për krizën, demonstratat dhe hedhjen e gazit nga deputetët e opozitës. Zyrtari amerikan ka thënë se ai do merret me çështjen e kosovareve që po i bashkohen ISIS-it para se të shkojë në Beograd për të marrë pjesë në takimin e OSBE-së ku po ashtu do të bisedohet për çështjen e Sirisë dhe ekstremizmin islamik. Por, sipas Reuters, fakti që Kerry vetëm tani po vjen në Ballkan edhe pse si sekretar i shtetit i ka bërë 1 milion milje udhëtime, është tregues se gjendja në rajon është më e mirë edhe pse këtu dikur ka pasur luftëra. Analistët ndërkaq theksojnë se në rajon ka pakënaqësi, veçmas në Kosovë. Shumë kosovarë janë duke u frustruar për shkak të progresit të ngadaltë drejt integrimeve evropiane, lirisë e lëvizjes, mungesës së punës dhe prosperitetit.

“E keni këtë frustrimin në rritje në Kosovë, pasi po bëhet e qartë se premtimet dhe shpresat të shoqëruara me pavarësinë, nuk po përmbushen” ka thënë Gerald Knaus udhëheqës i ESI-it. Ndërkaq, Reuters ka cituar Ardian Arifajn, këshilltarin e Hashim Thaçit i cili duke komentuar vizitën e Kerryt ka thënë se ai do ta shtyjë politikën kosovare që ta vazhdojë punën dhe se “ne jemi në rrugën e duhur”. Ndërkohë, Reuters ka shkruar edhe për respektin që ka SHBA-ja në Kosovë. “Nëse amerikanët nuk do të na ndihmonin neve më 1999, unë sot do të isha në varr …ose në ndonjë vend të huaj”, ka thënë Ymer Sylejmani, 64 vjeçar, me profesion mësimdhënës. “Por tani nganjëherë ata janë duke bërë gabime duke i mbështetur disa hajdut-politikanët tanë”, ka thënë ai.
Sigal