Joe Biden: “Shqipëria ka punë të vështira për të bërë në rrugën drejt Integrimit”

61

Zëvëndespresidenti amerikan Joe Biden vlerëson se, Shqipëria ka punë të vështira për të bërë në rrugën drejt Integrimit, por është duke shënuar përparim drejt kësaj aspirate me realizimin e reformave ekonomike dhe politike. Në një analizë të publikuar në gazetën britanike “Financial Times” zëvendës presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden vlerëson për Shqipërinë edhe arritjet që janë shënuar në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit. Analiza e numrit dy të Amerikës vjen një ditë pas zyrtarizimit të anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Europian dhe titullohet “Le të çojë Kroacia Ballkanin në BE”. Një mënyrë kjo për t’u thënë liderëve të vendeve të tjera të rajonit se duhet të ndjekin shembullin e Zagrebit për të realizuar ëndrrën europiane. “Hyrja e Kroacisë në BE – thotë zv. presidenti amerikan ngre stimuj për fqinjët, të cilët rrezikojnë të mbesin prapa. Së pari, shkruan Biden, fqinjët e Kroacisë duhet të bëjnë zgjedhje të vështira që do t’i hapin shtigjet e tyre drejt Evropës.  “Mali i Zi dhe Shqipëria kanë punë të vështira për të bërë, por janë duke shënuar përparim drejt integrimit evropian me realizimin e reformave ekonomike dhe politike, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit. “Asnjë vend nuk mund të lërë plotësisht prapa historinë ose të harrojë tragjeditë e veta. Dhe, as që duhet të bëjë një gjë të tillë. Por, vendet duhet të veprojnë për mirëqenien e brezave të rinj. Kjo është ajo çfarë ka bërë Kroacia. Ëndrrat që dukeshin të pakapshme 20 vjet më parë, sot janë të mrekullueshme dhe të pakthyeshme”,përfundon analizën zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden