Jo azil në BE, 3 shtete kthejnë 36 shqiptarë

414
Sigal

Në aeroportin “Nënë Tereza”, Rinas janë riatdhesuar sot 36 shtetas shqiptarë me avion charter. Ata u deportuan nga Franca, Holanda dhe Belgjika. Shtetasit e riatdhesuar shkelën kushtet e lëvizjes së lirë në zonën Shengen. Që nga 1 janari deri sot janë ri-atdhesuar mbi 2800 shtetas shqiptarë nga vendet e BE-së. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelon çdo shtetas që tenton të shkelë kushtet e lëvizjes në zonën Shengen apo të kërkojë azil se shanset janë zero, pasi Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta.

Nuk ka azil për shqiptarët në Bashkimin Europian. Ky përfundim vjen nga raporti i fundit i Eurostat që analizon pranimet e aplikimeve për azil në Europë. Shqiptarët janë të fundit për pranimin e azilit në Europë. Në vend të parë për pranim azili sirianët dhe afganët. Eurostat thekson se në shumicën e rasteve për këto vende është dhënë mbrojtje humanitare.

Zv.Ministrja e Brendshme, Rovena Voda, më herët ka thënë se qytetarët shqiptarë nuk mund të përfitojnë azil në vendet e BE-së, për shkak se Shqipëria konsiderohet një vend i sigurt. ”Ministria e Brendshme e Shqipërisë është duke komunikuar me ministritë homologe të vendeve si Franca apo vende të tjera, për të rishikuar procedurat e dhënies së azilit në këto vende, me qëllim shkurtimin e kohës së procedurave por edhe mënyrën se si do të trajtohen shtetasit shqiptarë, që vijnë nga një vend i sigurt”, tha ajo.

Sipas saj, udhëtimi në këto vende me qëllimin për të kërkuar azil, jo vetëm që është një kosto e madhe për qytetarët shqiptarë por është një hap i gabuar, është një hap që kushton. Ata jo vetëm shpenzojnë por do t’i kufizojë këta shtetas edhe në udhëtime të tjera drejt vendeve të BE-së. ”Unë dëshiroj të kujtoj që Shqipëria është një vend i sigurt, pra është në listën e vendeve të sigurta dhe qytetarët shqiptarë nuk mund të përfitojnë azil në vendet e BE-së”, theksoi Voda.