Jeta dhe vepra e Dr. Maksut Drasa

2927
Sigal

Në këtë kohë, kur shpirti human i njeriut po venitet, ku mania për të fituar është bërë gati e përbindshme dhe vlerat e të qenit njëri po shpërfillen mjerisht si pa të keq, na ndodh jo rrallë që të gjejmë prehje teksa kujtojmë ngjarje apo personazhe që lidhen me to, të cilët evakuojnë të kundërtën e këtij realiteti të trishtë. Një emër që meriton të kujtohet është Dr.Maksut Drasa

 Doktor Maksut Drasa ka lindur ne 10 mars vitin 1920 ne Arapsun të Turqisë. I ati, Avniu, jurist i dëgjuar, u martua me një vajze armene, Iskui, ortodokse dhe lindi Maksutin. Prindërit e lanë fare të vogël dhe  e rriti gjyshja e tij.

 Dr.Maksuti shkollën fillore e kreu në jetimoren e Tiranës dhe më pas vazhdoi Shkollën Teknike ‘Harry Fultz’ për një vit dhe tre vjet Gjimnazin e Tiranës. Ka fituar konkurset për aktor, pikturë dhe juridik por shkoi për mjekësi me insistimin e kushëririt të tij të parë Nuri Drrasa, i cili ishte tregtar dhe administronte 1 farmaci. Nuriu i këshilloi të fillonte studimet për mjekësi se atdheu kishte shumë mungesa për mjekë. Pas përfundimit te gjimnazit me rezultate të shkëlqyera, u regjistrua ne Universitetin e Bolonjës, në Itali për mjekësi, ku arriti të merrte notën më të lartë, 30/30. Studimet i ndërpreu në vitin e tretë, 1942, se Qemal Stafa (shok i tij nga gjimnazi) i kërkoi të sillte nga Italia 1 shaptilograf që i duhej LANÇ-it dhe u kthye në atdhe i inspiruar nga ndjenjat antifashiste. Nga viti 1943-1945 punoi si kirurg në spitalin civil të Tiranës si  asistent i  kirurgut italian, Prof. Lozzi dhe deri në ditën e arrestimit dhe pushkatimit të Lozit. Në këtë moment u emërua në Tiranë Shiroka dhe Dr. Maksuti vazhdoi si asistent dhe  zëvendësi i Prof. Dr. Frederik Shirokës deri në vitin 1948. Në vitin 1948 u dërgua në Bullgari, ku në 1950 përfundoi studimet për mjekësi me rezultate të shkëlqyera. Siç ka thënë dhe Dr. Sami Zavalani: “Maksut Drasa brenda 1.5 vite likuidoi në gjuhën frënge, të gjitha lëndët e prapambetura nga ndërprerja e studimeve në Bolonjë dhe ato të kurseve të fundit me notën më të lartë aq sa i mrekulloi të gjithë profesorët bullgarë të mjekësisë. Atje mbrojti dhe titullin Doktor i Shkencave Mjekësore me rezultat shkëlqyeshëm (Një studim serioz mbi ndërtimin e qelizës). Nga Bullgaria u kthye si një mjek i formuar. Profesorët e fakultetit e mbanin pranë si një nga studentët më të mirë. Shokët më të ngushtë me të cilin mbaroi studimet në Bullgari kanë qenë Dr. Baftiar Xhindi dhe Dr. Dhimitër Shyti. Gjatë gjithë jetës së tij fliste për Bullgarinë duke kujtuar profesorët dhe shokët e tij bullgarë. Me kthimin në atdhe, në vitin 1950, emërohet shef i Kirurgjisë dhe Obsetrik Gjinekologjisë në spitalin e Beratit. Kjo ndodhi se në Berat ishte kirurg italiani De Markis (nipi i Prof. Lozzit) i cili u lejua nga qeveria shqiptare për tu kthyer në Itali. De Markis ishte trup madh, me mustaqe dhe ky ishte sebepi që Dr. Maksuti la mustaqe që të dukej më burrë se ishte shumë i ri. Arsyeja kryesore për dërgimin e Dr.Maksutit në Berat ka qenë xhelozia e kolegeve të tij se i madhi Prof F. Shiroka kish thënë: “Maksut Drasa është i vetmi kirurg që mund te me zëvendësoje mua”. Nga sukseset e mëdha që pati në fushën e kirurgjisë, Spitali i Beratit u aprovua si shkollë për specializantet e rinj në  kirurgji dhe këtu përmendim nxënësin e tij më të talentuar Prof. Dr. Panajot Boga i cili pati fatin të jetë nxënësi i tij i parë, i cili nuk lodhet së treguari mrekullitë që ka parë gjatë kohës së qëndrimit të tij në Berat. Prof. Boga përmend shpesh një nga porosite që ja thoshte gjithmonë Dr. Maksut Drasa: “Materialin që ke lexuar qoftë 1000 herë do bësh mirë ta lexosh dhe njëherë para operacionit se mund të gjesh ndonjë presje që ka kaluar pa e parë”. Dr. Maksuti, e ktheu Beratin në një qytet me emër në fushën e kirurgjisë ku vinin pacientë nga e gjithë Shqipëria. Për emrin e madh që krijoi në fushën e kirurgjisë në vitin 1970 u emërua kryekirurg në Spitalin Ushtarak të Tiranës (1970-1982), ku talenti i tij si kirurg i shkëlqyer shpërtheu më tepër se kurrë. Ardhja e tij ne këtë spital u konsiderua si një eveniment i rëndësishëm për personelin mjekësor të këtij spitali. Pas daljes në pension viti 1982, vazhdoi të punojë rregullisht meqenëse ishte shumë i nevojshëm duke bërë konsultat kryesore dhe operacionet kirurgjikale të vështira, deri në vitin 1992 ku për shkak të moshës nuk mundi të shkonte rregullisht në spital. Dr. Maksuti njihte mire disa gjuhë të huaja si anglisht, bullgarisht, italisht, frëngjisht, rusisht e turqisht. Ai botoi artikuj shkencorë në shtypin mjekësor të kohës mbante referate me nivel të lartë shkencor në takime e simpoziume, ndërsa në vitin 1984 botoi librin ‘Teknika te operacioneve kirurgjikale’.

Arritjet e Maksut Drasës

Në vitin 1953 aplikoi për herë të parë në Shqipëri Exsanguino Transfusionin tek një fëmijë i lindur (vajzë) me rezus pozitiv ndërsa nëna me rezus negativ me probleme imunitare dhe kësaj goce i vuri emrin Rezarta. Për herë të parë guxoi të operojë një të sëmurë me Perikardit Adeziv duke i hequr cipën që mbështjell zemrën. Në operacion ishte prezent kardiologu i njohur Pandeli Cina. Për këtë ndërhyrje të rëndësishme u xhirua një dokumentar (nga e nderuara Xhanfise Keko) i cili u shfaq në të gjitha kinematë e vendit për disa muaj me radhë. Realizoi ndërhyrje kirurgjikale në të sëmurët me Endoarterit  Obliterant arterieve iljake, iljo femorale (ngushtimi i arterieve në gjymtyrët e poshtëm). Vuri në praktikë Vagotomine selektive dhe trunkale tek të sëmurët që operoheshin nga ulcera duodenale. I pari që aplikoi në Shqipëri Anestezinë Përidurale. Vetëm në Berat operoi mbi 7000 pacientë me këtë anestezi. Në këtë mënyrë hoqi përdorimin e eterit jo vetëm te femrat që lindin me operacion por edhe në të gjitha llojet e ndërhyrjeve që bëheshin nga mesi e poshtë, gjinekologji, urologji për adenome prostate, të gjitha llojet e frakturave në gjymtyrët e poshtëm. Kur erdhi në Tiranë në Spitalin Ushtarak e përhapi në të gjithë Shqipërinë duke përgatitur fillimisht anestezistet e Spitalit Ushtarak me këtë teknikë dhe pastaj u hapën kurse për të gjithë anestezistët e Shqipërisë. Për herë të parë në Shqipëri realizoi operacioni Verthaim (Hysterektomia Radicalis cum Lymphadectomia regionale), në një grua me kancer të qafës së mitrës. Ky operacion ka filluar të bëhet në Tiranë në Spitalin Obsentrik Gjinekologjik pas vitit 2000. Për herë të parë futi në gjinekologji operacioni me incizion Supracervikal kur ende në maternitetin e Tiranës bëheshin operacione korporate (pritej mitra së gjati) kurse doktor Maksuti e hapte tranversalisht pak, në qafen e mitrës (Sexio Cezarea inferiore) për te minimizuar hemorragjinë.

Ka bërë për herë të parë Serklazhin (lidhja e qafës së mitrës) që gratë te mos bënin abort spontan. I pari që mori përsipër operacionin në zorrën e trashe me probleme të ndërlikuara. Aplikoi tekniken e re për Hidrocelen (qese me ujë të testeve). Për herë të parë aplikoi vaginë artificiale duke i mundësuar çiftit të kryenin normalisht aktin seksual. Këtë e beri në fillim me pjesë të zorrës së trashë dhe më pas me pjesë të zorrës së hollë. Mjeshtër në operimin e fistulave anale si dhe hemorroideve. Dr Maksuti hapi një qendër eksperimentale në Berat, eksperimentonte tek qentë, e shumë e shumë teknika të tjera që i aplikoi për herë të parë. Në 1971, së bashku me një grup kirurgësh ushtarak, u dërgua në Kinë për specializim për kirurgjinë e ezofagut dhe vazave të gjakut. Atje përvetësoi metodat e reja në fushën e kirurgjisë që po aplikoheshin me sukses në spitalet e mëdha të Pekinit dhe Shangait. Në fillim e trajtuan si të gjithë, kur e panë se ishte një talent në kirurgji që bënte operacione që i befasoi profesorët kinez, i dhanë trajtim të veçantë. Profesorët kinez arritën të thonë që ky qenka talent që ka ardhur të na mësojë ne e jo ne atë.

Vjen një dite që edhe mjeke si Maksut Drasa largohen nga klinikat dhe sallat e operacioneve, largohen edhe nga kjo jete, por pas mbetet vepra e tyre, përvoja e vyer e transmetuar bujarisht tek mjeket pasardhës. Dr. Maksut Drasa padyshim që ka zënë një vend nderi në panteonin e kirurgjisë shqiptare, sepse për me se gjysme shekulli gjithçka e shkriu për gjënë më të shtrenjtë që ka krijuar Zoti, jetën njerëzore dhe që s’ kërkoi kurrë shpërblim më të madh se ky. Një vit para se të vdiste, në vitin 2005, Këshilli bashkiak i Beratit i akordoi mjekut të shquar titullin e lartë «Qytetar Nderi». Banorët e Beratit e pritën me gëzim këtë vlerësim, pasi ky mjek i nderuar u shërbeu me aq përkushtim e dashuri për mëse 20 vjet gjyshërve, prindërve vëllezërve dhe motrave të tyre. Do ishte nder për ta që dhe spitali i qytetit të mbante emrin e mjekut të nderuar Maksut Drasa. Po kështu mjekët e spitalit ushtarak në Tiranë, të vjetër dhe të rinj, besoj se do të nderoheshin në qoftë se instancat përkatëse do t’i vinin emrin e tij: Bllokut Operator (Urgjencës) te Qendrës Kombëtare të Traumës, të cilën ai vetë e projektoi dhe krijoi. Të huaj që kanë ardhur dhe vizituar këtë qendër në vitet e fundit janë habitur se si një shqiptar të kishte një vizion kaq largpamës në vitet 70-të, për projektimin e një blloku operator të tillë kaq funksional, që siç u shprehën, në Vjenë akoma nuk ka një bllok të tillë operator. Doktor Maksut Drasa i meriton këto nderime sepse ai arriti të gjitha dimensionet që mbart fjala e bukur MJEK. Ai mund të quhet me të drejtë: “Kirurgu me Duar të Arta.” Pavli Shkarpa thekson: “Dr. Maksut Drasa duhet të konsiderohet monument për trashëgiminë kulturore të qytetit të Beratit dhe me këtë status duhet që emri i tij të mbrohet nga shteti dhe patjetër nga shoqata jonë”. Do te ishte nder për Spitalin e Beratit të mbante emrin Prof. Dr. Maksut Drasës.