“Jeni si një mizë për gjigandin”, acarohen marrëdhëniet Turqi-Greqi

681
Tensionet mes Turqisë dhe aleatit të NATO-s, fqinjit të saj Greqisë, kanë vazhduar të përshkallëzohen nga deklaratat pas përplasjes së anijeve në detin Egje.
Duke folur në prag të samitit të NATO-s në Bruksel, ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos, e ka akuzuar Turqinë për sjellje provokuese dhe ka deklaruar se “kjo çështje shkon përtej kufijve të tolerancës”.
Komentet e Kammenos erdhën një ditë pas telefonatës mes dy kryeministrave të këtyre vendeve, në orët e vona të së martës, në një përpjekje për të ulur tensionet. Kryeministri turk Binali Yildirim ka deklaruar se ai i ka thënë specifikisht palës greke që të përmbahen nga tensionet në të mirë të dyja palëve.
Ai i ka thënë homologut të tij grek, Alexis Tsipras, se Deti Egje duhet të jetë një “det miqësie”. Të martën, një anije patrullimi turke goditi një anije greke në ishujt e kontestuar Kardak, në juglindje të Detit Egje. Sherri për ishujt e vegjël të pabanuar shkëmborë, ku mund të qëndrojnë vetëm zogjtë, pothuajse ka provokuar një luftë mes dy vendeve në vitin 1996. Lufta u evitua nga ndërmjetësimi i SHBA-ve.
Turqia ishte irrituar që nga një nisje e Kammenos në ishujt Kardak më 28 janar, për të vendosur një kurorë atje. Anija turke e rojës detare e paralajmëroi atë dhe ai u largua. Më pas, më 11 shkurt, autoritetet e Qipros greke thanë se ushtria turke kishte penguar një anije kërkimi gazi në Mesdhe, të zotëruar nga kompania italiane, ENI. Por Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, nuk foli me një gjuhë uljeje tensionesh.
“I paralajmërova ata që kalojnë kufijtë e tyre në Qipro dhe Egje. Të drejtat tona në Qipro dhe Egje nuk janë ndryshe nga ato në Afrin”, tha ai, duke iu referuar ofensivës që ka nisur në territorin sirian. Ndërkohë, kreu i këshilltarëve të Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan ka thënë për kanalin “TRT” të Turqisë, se nuk ka asnjë dyshim se SHBA ka një plan për ta nxitur Greqinë të sulmojë Turqinë, ndërsa ushtria turke është e angazhuar në Siri.
Yigit Bulut tha se përgjigjja e Turqisë do të jetë e ashpër, duke shtuar se Greqia nuk konsiderohet një kundërshtar për fuqinë e Turqisë. Do të ishte sikur “një mizë të luftonte me një gjigant”, tha ai dhe paralajmëroi se përballja do të sillte pasoja të tmerrshme për Greqinë. Bulut bëri komente të ngjashme edhe në fillim të muajit, duke iu referuar Imias, mbi të cilën Greqia dhe Turqia pothuajse hynë në luftë në vitin 1996.
“Ne do të thyejmë krahët dhe këmbët e çdo oficeri, të Kryeministrit ose të ndonjë ministri që guxon të hyjë në Imia në Egje”, tha Bulut.
Sigal