“Jemi larg kompromisit”, Irani nxjerr kushte për të mbetur në marrëveshjen bërthamore

525
Sigal

Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane “janë larg kompromisit” për një marrëveshje të re bërthamore me Iranin, tha ministri i Jashtëm gjermane, Heiko Maas.

“Jemi larg kompromisit, jemi në dy rrugë krejtësisht të ndryshme”, tha ai, pas takimit në Uashington me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Pompeo, këtë javë, paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të godasin Iranin me “sanksionet më të fuqishme në histori” nëse ai nuk pajtohet t’i frenojë më shumë aktivitetet e tij bërthamore, t’i japë fund programit me raketa balistike dhe të ndalojë ndërhyrjet ushtarake në Siri dhe në Jemen.

Por, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i kundërshtoi fuqishëm kërkesat e SHBA-së dhe tha se tri vendet evropiane, që kanë nënshkruar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, duhet të refuzojnë të negociojnë me Uashingtonin për marrëveshje të re.

Khamenei, në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e tij, tha se Britania, Franca dhe Gjermania duhet të zotohen se nuk do të kërkojnë negociata për programin me raketa balistike të Iranit dhe për aktivitetet e tij rajonale. Këto dy çështje janë përjashtuar posaçërisht nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e cila i ka hequr sanksionet kundër Iranit, në këmbim të kufizimit të disa aktiviteteve të tij bërthamore.

Khamenei tha se vendet evropiane duhet të ngrihen kundër sanksioneve nga SHBA-ja, që janë rikthyer pasi presidenti amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga marrëveshja bërthamore, më 8 maj.

Ai paralajmëroi se nëse evropianët nuk i përmbushin këto kërkesa, Irani do të rinisë pasurimin e uraniumit – substancë që përdoret për krijimin e armëve bërthamore.

Khamenei, po ashtu, tha se vendet evropiane duhet të garantojnë se ato do të vazhdojnë të blejnë naftë nga Irani dhe se do të përpiqen të bllokojnë planet e SHBA-së për të frenuar shitjet e naftës iraniane nëpërmjet sanksioneve.

Në total, deklarata e Khameneit parashtron shtatë kushte për Iranin që të vazhdojë t’i përmbahet marrëveshjes bërthamore.

“Bankat evropiane duhet të mbrojnë tregtinë me Republikën Islamike. Ne nuk duam të fillojmë luftë me këto tri vende, por nuk u besojmë as atyre”, tha Khamenei.

Në takimin e tij me Pompeon, ministri gjerman, Maas, tha se ai theksoi “solidaritetin e madh” të nënshkruesve evropianë të marrëveshjes bërthamore dhe vendimin e tyre për të vazhduar respektimin e saj.

“Evropa është shumë, shumë e bashkuar në qëndrimin e saj ndaj marrëveshjes bërthamore me Iranin dhe kjo nuk do të ndryshojë”, tha Maas.

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, paralajmëroi se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të rivendosur sanksione kundër Iranit dhe për të kërkuar një marrëveshje më të ashpër rrezikon të destabilizojë Lindjen e Mesme.

Le Drian tha se Parisi do të vazhdojë të zbatojë marrëveshjen e vitit 2015, edhe pse pajtohet me Uashingtonin se aktivitetet raketore të Iranit dhe ambiciet e tij rajonale duhet të frenohen.