Japoni, evakuohen 250 mijë vetë, frikë për tërmete tjera

506
Rreth 250 mijë persona janë evakuuar në prefekturën e Kumamotos pasi autoritetet i tremben të tjera lëkundjeve të forta pas dy tërmeteve të fuqishëm që goditën Japoninë javën e kaluar, duke shkaktuar të paktën 42 viktima. Nga lëkundja e parë sizmike e ndodhur të enjten e shkuar dhe deri të hënën vendi ka përjetuar 500 goditje të tjera, më pak të forta, të përqendruara kryesisht në ishullin Kiushu dhe në Kumammoto.
Instituti gjeofizik japonez ka dhënë alarmin për të tjera dridhje të forta në ditët në vijim. Naoki Kokawa, përgjegjës i Kryqit të Kuq, ka deklaruar për BBC se në ishullin Kyushu janë dërguar të tjera skuadra shpëtimi në ndihmë të 30 mijë personave që tashmë ndodhen atje. Sipas mediave vendase 11 persona rezultojnë të humbur. Këto janë imazhet e filmuara me dron të dëmeve që shkaktuan dy tërmetet me magnitudë 6.4 e 7.3 ballë. Siç duket qartë, rrugë autostrada, ura dhe sipërfaqe të mëdha toke kanë pësuar çarje të mëdha. Sakaq mbi 1 mijë persona janë plagosur, prej të cilëve 208 në gjendje të rëndë shëndetësore. Meteorologët kanë parashikuar shira të mëdha të cilat mund të favorizojnë rrëshqitje të dherave në një territor tashmë të dëmtuar, ku shumë vende kanë mbetur të izoluara.
Sigal