Jahjaga: Jemi përkushtuar që të luftojmë korrupsionin si pengesë e zhvillimit ekonomik

412
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbajti një fjalim në Këshillin e Çikagos për Çështje Globale (Chicago Council on Global Affairs). Sipas një njoftimi të Presidencës, Jahjaga në fjalimin e saj theksoi të arriturat e Kosovës në zhvillimin demokratik dhe integrimin evropian dhe euroatlantik.

“Kosova sapo ka ratifikuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, që është hap i parë në rrugën e integrimit të plotë në Bashkimin Evropian”, citohet të ketë thënë Jahjaga. Gjithashtu bëhet e ditur se Jahjaga foli edhe për reformat që po ndërmerren në fushën e ekonomisë dhe në krijimin e klimës më të favorshme të të bërit biznes në Kosovë.

“Ajo tha se për një kohë të shkurtër Kosova ka arritur që të kalojë fazën e rindërtimit dhe të krijojë një ambient të favorshëm për investimet e huaja direkte. Presidentja gjithashtu theksoi se Kosova është e përkushtuar që të luftojë korrupsionin si pengesë kryesore e zhvillimit ekonomik”, thuhet në fund të njoftimit.
Sigal