Jahjaga e Mustafa: Luftë grupeve që po ndihmojnë emigrimin ilegal

498
Sigal

PRISHTINE – Presidentja Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Isa Mustafa kanë kërkuar nga organet e rendit të luftojnë grupet kriminale që po ndihmojnë qytetarëve e Kosovës të ikin jashtë vendit në mënyrë ilegale për në vendet e BE-së.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Presidentja Jahjaga përmes një postimi në rrjetet sociale, sipas së cilës në takimin e mbajtur mbrëmjen e djeshme kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri Kujttim Shala, Ministri i Financave Avdullah Hoti, Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, zëvendësministri i jashtëm Petrit Selimi, zëvendësministri i integrimeve, Ramadan Ilazi dhe drejtori i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni ku u diskutuan hapat që duhen ndërmarrë në zgjidhjen e çështjes së migrimit ilegal.

Nga ana e tyre, Jahjaga dhe Mustafa kanë biseduar në lidhje me mënyrat e zgjidhjes së çështjes së emigrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës, përmes vetëdijësimit dhe adresimit të shkaqeve që kjo çështje sjell në politikat e shteteve të BE-së ndaj azilkërkuesve si dhe forcimit të sundimit të ligjit.

“Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Mustafa, së bashku me bartësit e institucioneve përgjegjëse të Kosovës, biseduan për mënyrat e zgjidhjes së çështjes së migrimit ilegal, përmes vetëdijesimit të qytetarëve të Kosovës për politikat e shteteve të BE-së ndaj azilkërkuesve, adresimit të shkaqeve të migrimit ilegal, forcimit të sundimit të ligjit dhe rendit që do të parandalonte edhe grupet kriminale që të përfitojnë në kurriz të qytetarëve të Kosovës dhe ndërmarrjes së hapave për zhvillimin ekonomik të vendit si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.” Thuhet në postimin e Presidentes Jahjaga

Po ashtu gjatë ditës së djeshme Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Mustafa, me ftesë të tyre, kanë takuar edhe ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së për të biseduar për bashkëpunimin lidhur me këtë çështje.