Jahjaga: Anëtarësimi i Serbisë në BE të kushtëzohet me shpërbërjen e strukturave paralele

508
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka zhvilluar sot një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Paolo Gentiloni. Gjatë këtij takimi dy zyrtarët u ndalën tek zhvillimet e përgjithshme në Kosovë dhe rajon, axhendën evropiane, procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve. Sakaq, Jahjaga pohoi ndër të tjera se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Europian duhet të kushtëzohet me shpërbëjnë e strukturave paralele.
JA NJOFTIMI I PLOTË:
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, z. Paolo Gentiloni. Presidentja Jahjaga dhe ministri Gentiloni biseduan për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë dhe rajon, agjendën evropiane të Republikës së Kosovës, procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve. Presidentja Jahjaga vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Italisë dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së qeverisë italiane për proceset demokratike në vend dhe posaçërisht për rrugën evropiane të Kosovës dhe procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova bëri një hap të rëndësishëm me vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian, përmes Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Presidentja tha se kjo marrëveshje do të ndihmojë përparimin ekonomik të vendit si dhe do ta thellojë dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Presidentja Jahjaga tha se ka mirëpritur miratimin e raportit pozitiv për viza për Kosovën nga Komisioni Evropian dhe shprehu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për përmbushjen sa më të shpejtë të obligimeve të mbetura teknike me qëllim që ky proces të lëvizë me sukses me shtetet anëtare. Presidentja Jahjaga gjithashtu diskutoi me ministrin Gentiloni për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke theksuar që suksesi i këtij procesi do të varet nga zbatimi i marrëveshjeve dhe kushtëzimi i përparimit të Serbisë drejt anëtarësimit në BE me shpërbërjen e strukturave paralele dhe ilegale nga Beogradi që veprojnë ilegalisht në Kosovë. Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, z. Paolo Gentiloni theksoi se vendi i tij do ta vazhdojë mbështetjen për Kosovën, për rrugën e saj evropiane dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ai theksoi rëndësinë e tejkalimit të të gjitha mosmarrëveshjeve të brendshme dhe vlerësoi rolin e Presidentes Jahjaga në dialogun ndërmjet forcave politike në Kuvend. Ministri Gentiloni theksoi se ka potencial të madh për bashkëpunim ekonomik ndërmjet dy vendeve, dhe reformat e Kosovës në sektorë e bëjnë këtë bashkëpunim më të lehtë.
Sigal