Jabllanoviç: Nuk dorëhiqem! VV do të vijë në pushtet përmes rrugës

142

PRISHTINE – “Nuk kam ndërmend të jap dorëheqje, pasi në asnjë rast nuk e kam shkelur ligjin dhe me asnjë deklaratë nuk kam fyer qytetarët”. Kështu i përgjigjet ministri serb për Kthim e Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviç thirrjeve për shkarkimin e tij në dy protestat që shpërthyen në Prishtinë. Ndërsa të mërkurën është parashikuar mbajtja e tubimit të radhës kundër Jabllanoviç, ministri është shprehur për të përditshmen e Beogradit “Vesti” se kërkesat e Vetëvendosjes nuk kanë lidhje me atë që ai ka thënë. Jabllanoviç i quan trillime akuzat e opozitës kosovare. Sipas tij, zhurma rreth deklaratës se “gjakovarët janë egërsira”, është bërë me qëllimin e vetëm që opozita të vijë në pushtet përmes rrugës.
 
 “Deklarata me të cilën dënohej një akt vandal në Gjakovë është zmadhuar dhe shtrembëruar para opinionit kosovar, në mënyrë që të shmanget vëmendja nga hedhja e gurëve mbi të kthyerit”, është shprehur ai.

I pyetur se a do të ndodhnin protestat po të mos ishte deklarata e tij, ai tha se “jam i sigurt se do të kishte protesta, porse shkas do të merrej diçka tjetër. Vetëvendosjes në radhë të parë nuk i pëlqen të shohë serbë që punojnë në interes të serbëve”.

Edhe pse në Prishtinë lëviz i siguruar nga Policia, Jabllanoviç, i cili u bë shkak për protesta që përfunduan në përplasje fizike me policisë dhe demonstruesve, është shprehur për gazetën “Vesti” se në mbledhjet e qeverisë nuk ka asnjë problem.
 
“Në Qeveri nuk kemi hyrë të shkaktojmë ndasi më të mëdha midis serbëve e shqiptarëve, por që të bëjmë diçka në dobi të të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht nëse janë serbë, shqiptarë a romë. Situata është shumë e rendë nga pikëpamja ekonomike, por edhe për nga aspekti i krimit e korrupsionit, ndërsa aksionet e papërgjegjshme të disa partive politike çojnë andej që situatën e bëjnë edhe më të rendë”, është shprehur ai.