Ja strategjia për daljen nga kriza ekonomike në Itali

1839
Sigal

Ministri i Montit në Itali bën thirrje se zgjidhja për të daklë nga kriza ekonomike është rikthimi në sistemin komunist.

Është e pabesueshme, e paimagjinueshme gjithsesi për ekstremistët antikomunistë që, ministri i dikurshëm në qeverinë Prodi, Paolo Ferrero, shpëtimin nga kriza e sheh vetëm tek komunizmi. Por, tek komunizmi që vërtetë është e duhet bërë pastër, komunizëm. Ish-ministri italian, në të vërtet nuk është një përjashtim, si mund të mendojë dikush qëllimisht. Ai më shumë se sa një intelektual i njohur, është “de facto” edhe një ish-ministër. Intelektual dhe drejtues i PRC (Partia e Rindërtuar Komuniste) Ferrero e “operon” me idetë e tij, Italinë e mbërthyer nga kriza, ku debatet diskutimet, falimentimet dhe protestat kanë kapur kuota shumë të larta. Të gjitha nga “shtrëngimi” i detyruar i rripit, pasi gjendja si dhe kemi shkruar, nuk është aspak e mirë dhe kryeministri i mirëvlerësuar, Monti, ka deklaruar se pas vitit 2013, ai nuk do të jetë më kryeministër, në ndryshim çka është deklaruar nga kryeministra ballkanikë, jashtë BE-së, ku ndodh, si në Shqipëri, kanë deklaruar dhe qëndrim të “dhunshëm” me gjuhë të vet apo të ministrave anakronikë dhe tribalë se: “do të fitojmë zgjedhjet edhe me pallë”.(?!) (deklaratë që kalon radhën pa ndëshkim apo dorëheqje të menjëhershme të kërkuar….)

Në Itali është ndryshe, ndofta sepse kryeministri serioz, në vlera, Monti, nuk ka duar të përgjakura, apo “oborr” plehu plot me të korruptuar. Monti do të largohet sepse e di mirë që nuk ka shpëtim prej borxhit (gati 2000 miliardë, i treti borxh më i madh në botë), por vetëm pak oksigjen… Fantazma e borxheve, që vjen vërdallë Europes, ka mbërthyer prej fyti kontinentin dhe asnjë “recetë” gjer më sot nuk ka qenë efikase. Vet Monti këtë e di mirë, kur, sipas shtypit, dobësinë italiane, falimentimin, e ka përdorur si forcë, sikurse Spanja dhe Greqia, pa folur për vende si Shqipëria që kanë falimentuar në gjithçka dhe, mbi të gjitha, në vlerë morale europiane. Por, si në rebuset më të koklavitura, si ne nyjën e famshme Gordiane, del një “Aleksandër i Madh”, një ish-ministër italian në qeverinë Prodi që deklaron se, “krizën e largon vetëm komunizmi”.

Më saktë thënien e tij të shpërndarë tashmë në eter e ka publikuar, si titull, gazeta më e madhe Italiane “La Repubblica”(19 korrik 2012). Ja dhe titulli i përkthyer: “Kriza, strategji dalëse e Ferrero, komunizmi. “Për cilindo publicist, që ka mision përcjelljen e faktit tek qytetaret, ky publikim përben vëmendje. Vëmendje, por dhe analizë të thellë dhe të ftohtë, perse? Përsetë, janë pyetësorë që rrjedhin nga realiteti tepër i trishtë, ndaj dhe sjellin përgjigje të ndryshme, të cilat ish-ministri i qeverisë italiane i ka argumentuar edhe në një libër me titull “Pigs! La crisi spiegato a tutti” (Pigs! Kriza shpjeguar të gjithëve”) libër i cili është bërë “best seller” në Itali, Spanjë, Francë, Angli dhe Gjermani. Lexuesi duket nga shitjet, është i shqetësuar të dijë për të nesërmen e tij që me këtë sistem kapitalist informal, shtypës dhe varfërues për shumicën (në Itali shifra e të varfërve nën nivelin e jetës është ngjitur në mënyrë drastike në 8 milion italianë) dhe dobiprurës e pasurues për 1 përqind të të pasurve, shfrytëzuesve, mashtruesve qeveritarë dhe të korruptuarve politikanë. Në të vërtetë idetë për daljen nga kriza të ministrit Ferrero, janë një shuplakë në fytyrë edhe për të gjithë komunistët maskarenj, që në vendet e lindjes, pra dhe në Shqipëri, por dhe në perëndim, pasi deformuan mizorisht idealet e mëdha të shoqërisë njerëzore, të koncentruara në idenë e Marksit: Komunizëm, rrëmbyen kudo me mashtrim vlerat e arritura, ato të parealizuara cilësishëm dhe në mënyrën më regresive, u bashkuan kriminalisht me atë 1 përqind të së pasurve, që varfëron e vret përditë shumicën qytetare.

Edhe nga këto marrëzi mund të kenë gjeneruar krizat e mëdha? “Lufta e klasave kundër shtetit tani është bërë në shkallë ndërkombëtare nga kapitalistët kundër punëtorëve, pensionistëve, të rinjve: kundër popullit”, filozofon ish-ministri me ide komuniste. Ferrero propozon një vijë dalje nga kriza dhe që duket shumë më racionale, sipas studiuesve se sa teoritë burokratike dhe aspak realiste të qeveritareve aktualë të BE. Në të vërtetë edhe gjuha e përdorur e filozofit ish-ministër, është e përafërt me gjuhën e Marksit, ku evidentohen edhe raportet njerëzore të forcave ndërmjet klasave. Në të vërtetë askush më mirë se Marks nuk e ka studiuar kapitalizmin. Është propozimi për një “Nevv Deal” klasë në Itali dhe zonën përreth, një “Rithemelimi” edhe të Europës për të mos përfunduar të gjithë “protektorat i Gjermanisë”. Është një recetë komuniste e don Milan dhe Bertold Breht, por dhe shumë citime të shquara të ish-ministrit të financave në qeverinë Berluskoni, Giulio Tremonti. Kriza nuk është një incident rruge në analizat e ish- ministrit italian Ferrero. “Financimi i ekonomisë dhe globalizimi, kanë qenë tentativa – të dështuara – të klasave dominuese për të xhiruar limitet e brendshme në mekanizmat e akumulimit kapitalist”. Kjo ka bërë të ketë gjenerim pabarazie, forma të reja të shfrytëzimit dhe një progresiv vakumi të demokracisë, me besim tek të fuqishmit në teknostrukturë. Tashmë duhet të vështrohet tej, për të kuptuar se, “problemi i vërtetë quhet kapitalizëm”. Analizat e ish-ministrit italian arrijnë në konkluzionin se, “Kriza financiare është pasqyra e deformuar e një kontradiksioni që është brenda mekanizmit të zhvillimit, nuk është vetëm një anomali”. Sipas Ferrero nuk vlen të shkurtosh shpenzimet, liberalizuar tregun, privatizuar pjesë të pasurisë së përbashkët të qytetareve, të ngushtosh të drejtat e punëtorëve. Të gjitha, ç’janë bërë, janë receta të gabuara, neoliberaliste, të falimentuara. Monti dhe Berluskoni, vazhdon Ferrero, nuk janë të ndryshëm, edhe pse Monti ka moral. Te dy kanë fytyrën e borgjezisë italiane”. “Tani duhet diçka tjetër, propozon ish-ministri italian europianëve, një BQE (Bankë Qendrore Europiane), e kontrolluar nga Parlamenti Europian, dhe kjo të jetë një bankë publike me misionin, të garantojë punësimin e plotë të qytetarëve të Europës dhe të jetë borxhdhënëse për shtetet që rrezikohen”. Është një propozim interesant në këtë varg mbledhjesh pafund dhe tensionesh, vëren shtypi që publikon dhe analizon Ferrero. Duke qenë i ndjeshëm rreth krizës në vendin e tij ku dhe ka qeverisur, Italinë, Ferrero orienton që të ketë një “jashtëqitje”, të rregullave “çmenduri” të “Fiscal Compakt”, një rinegocim të borxhit të madh publik, transformim të Arkës së Depozitimeve, dhe marrjes së kredive në bankat publike. Dhe, për të përfunduar, Ferrero kërkon heqjen e ligjeve Fornero, mbi punën dhe pensionet. A do të bëhen nga pasardhësit e tij të mbërthyer nga kriza? Edhe mundet. Diçka ka filluar të kriset në Europë, ndërsa fantazma krizë po bën dëme në jug njerëzit e të cilit borgjezia gjermane i quan me plotë gojën, parazitë. Vërtet jemi të tillë? Një tjetër hapësirë po shfaqet mbi Europë, si një copëz qiell tjetër. Për të goditur fantazmën. Për të zhdukur fantazmën, në të vërtetë po luftojnë edhe në jugun evropian. Grekët në opozitë tronditën. Në Spanjë, Itali, Portugali etj., po lëvizin idetë, projektet, njerëzit… Ndryshim do të ketë duke luftuar!