Ja propozimet e kreut të LSDM për 6 Ministri, të martën takon Ahmetin

453
Pas mandatimit nga Presidenti Ivanov, Zaev po vijon negociatat me partitë shqiptare për formimin e qeverisë së re. Deri më tani, marrëveshja duket e mbyllur vetëm me LR-PDSH-në e drejtuar nga Ziadin Sela, e cila do të ketë postin e Zv. Kryeministrit dhe një Minstri. Ditën e martë, Zaev do të takohet me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, ndërkohë që përfshirja e Lëvizjes BESA në koalicionin qeverisës mbetet në pikëpyetje.

Kreu i social-demokratëve, Zoran Zaev, po vijon diskutimet me partitë politike për të arritur në një marrëveshje mbi formimin e qeverisë, ndërsa mediat kanë mundur të zbardhin disa nga detajet e nevociatave që po vijojnë mes palëve.

Mësohet se social-demokratët kanë bërë përzgjedhjet e tyre për 6 Ministri, e më konkretisht për:

Oliver Spasovski – Ministër i Brendshëm
Dragan Tevdovski – Ministër i Financave 
Radmilla Sheqerinska – Ministër i Mbrojtjes 
Nikolla Dimitrov – Ministër i Punëve të Jashtme
Frosina Remenski – Ministër i Punës dhe Politikave Sociale
Ljupço Nikollovski – Ministër i Bujqësisë

Ndërkohë, marrëveshja duket e mbyllur në raport me LR-PDSH-në. Partia e drejtuar nga Ziadin Sela, pritet të ketë postin e Zv/kryeministrit, Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe një post zv/Ministror, por ende nuk ka emra konkretë për këto pozicione.

Zoran Zaev, pritet që ditën e martë të diskutojë me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, për të përcaktuar digasteret që do t’i takojnë kësaj force politike.

Marrëveshja që do të arrihet mes tyre, më pas do të duhet të aprovohet edhe nga kryesitë e partive respektive.

Situata duket më e paqartë në raportin LSDM-Lëvizja BESA. Sipas raportimeve mediatike, forca politike shqiptare ka kërkuar një numër relativisht të lartë institucionesh nga social-demokratët, gjë që lë pikëpyetje mbi mundësinë e përfshirjes së BESË-s në koalicionin qeverisës.
Sigal