Ja fatura që po ‘çmend’ rrjetin: hamburger dhe kapuçino, 81 euro

177

Dy hamburger dhe dy kapuçino nën hijen e kupolës së San Pietros për 81 euro dhe rasti përfundon në rrjetet sociale.

Për shumën e paguar, nga katër turistë në pushimin e drekës, në zonën rreth Vatikanit në Romë, ka ndezur indinjatën, por edhe ironinë në Facebook.

Nga ana e fast-food-it ndërkohë shpjegojnë për “Il Messaggero: “Klientët zgjodhën nga menuja dhe aty ishin të vendosura çmimet. Ata e dinin se ç’po hanin dhe sa duhet të paguanin për këtë”.

Në faturën e postuar në Facebook lexohet gjithçka në fakt: dy hamburger (25 euro secili), dy kapuçino (8 euro/ një) dhe një kafe dopio amerikane (8 euro), me një total prej 81, 40 euro, përfshirë edhe shërbimin.

“Ata hynë të katërt, thonë nga lokali për “Il Messaggero”, porositën ushqimin nga menuja, ndanë mes tyre hamburgerët, katër qofte me mish viçi danez, shoqëruar me patate të skuqura dhe sallatë dhe konsumuan kafenë dhe kapuçinot.”

Me marrjen e faturës, nisën edhe polemikat nga ana e turistëve.

“U përpoqëm ta sqaronim çështjen tek kasa, më pas paguan dhe nxorën faturën në rrjetet sociale.”

Por online, nuk shpërtheu vetëm indinjata për një pushim dreke tejet ‘të kripur’ dhe u quajt nga të gjithë si antireklamë për kryeqytetin Italian, por shumë vetë ironizuan rastin duke thënë: “Nëse pi kapuçino ndërkohë që ha hamburger, e meriton atëherë”