Ivanov nuk heq dorë: Platforma shqiptare rrënon shtetin. Tusk: Kriza bllokon integrimin, gjeni zgjidhje

485
Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov nuk e ka ndërmend të heq dorë nga vendimi për mandatin. Madje Ivanov e ka ashpërsuar edhe më shumë retorikën kundër Platformës shqiptare, për të cilën tha se e rrënon shtetin.
Këto komente Ivanov i bëri menjëherë pas takimit me kreun e Këshillit Evropian Donald Tusk, i cili garantoi mbështetjen e BE-së.
Kreu i Këshillit Europian, Donald Tusk pret një vendim të arsyeshëm nga presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov, për daljen nga kriza politike.
“Kjo krizë e vazhdueshme politike bllokon vendin tuaj në rrugën drejt eurointegrimit. Ju ngelet juve të gjeni një zgjidhje, që do të jetë e bazuar në parimet demokratike, te mirësjellja, por që të jetë edhe e arsyeshme”, është shprehur Tusk në lidhje me krizën politike.
Ndërsa Ivanov duket se nuk ndërron qëndrim për mandatimin e Zoran Zaevit për formimin e qeverisë.
“Me Tusk biseduam për situatën e tanishme politike në Maqedoni. E kam njohur për obligimet kushtetuese e mia si kryetar dhe me praktikën që nga viti 1992 për mënyrën e dhënies së mandatit. Qëndrimi im është i qartë se qëndrimi im mbetet i pandryshuar dhe se pengsa juridike dhe politike duhet të hiqet, qeveria duhet të mos kundërshtohet nga askush dhe se vendimi im është parandalues. Një qeveri e shantazhuar është një qeveri jo stabile. BE-ja është garantuese e dy marrëveshjeve, ajo e Ohrit dhe e Përzhinos. Imperativ i liderëve partiak është zbatimi i reformave urgjente, reformat evropiane dhe jo zbatimi i platformave që rrezikojnë shtetin, rrezikohet sovraniteti i shtetit, shantazhohet përbërja e qeverisë së re, shkelen marrëdhëniet e mira ndërshtetërore, manipulohen qytetarët me çështje jashtë marrëveshjes së Ohrit dhe kërkohet ndryshim i Kushtetutës, nxiten përplasje ndëretnike”, deklaroi Ivanov.
Sigal