Itali – Primaret e PD, Matteo Renzi kurorëzon fitoren në raundin e parë

517
Ish-kryeministri Matteo Renzi konfirmohet kandidati kryesor për t’u zgjedhur në postin e ardhshëm të kryetarit të Partisë Demokratike italiane.

U zhvillua këtë fundjavë në Itali, raundi i parë i zgjedhjeve primare në të gjitha degët e Partisë Demokratike në vend.

Anëtarët e kësaj force politike anekënd Italisë kanë konfirmuar me votën e tyre 3 kandidatët e mundshëm për t’u sfiduar në garën për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, i cili do të zgjidhet nga votimi përfundimtar i zgjedhjeve primare që do të zhvillohen më datë 30 prill në kuadër të zhvillimit të Kongresit të saj Kombëtar.

Zgjedhjet e ditës së djeshme në degët e Partisë Demokratike në rrethe kanë kurorëzuar ish- kryeministrin Matteo Renzi e deri pak muaj më parë dhe lideri i kësaj force politike, në vendin e parë me rreth 68.2 % të votave.

Në vendin e dytë me rreth 25.4% të votave është renditur Andrea Orlando aktualisht Ministër i Drejtësisë në qeverinë e Paolo Gentilonit.

Ndërsa Michele Emiliano, governator i rajonit të Puglias, ish-kryetari i degës rajonale të Partisë Demokratike në Puglia e një nga anëtarët e kryesisë së kësaj force politike është renditur në vendin e 3 me rreth 6.3 % të votave.

Në votime morën pjesë rreth 58.1% e shtetasve italianë me teserën e anëtarësimit të Partisë Demokratike.

Triumfi i Matteo Renzit në votën e degëve të rretheve të PD ka entuziazmuar të gjithë përkrahësit e linjës renziane, ndërsa vetë Matteo Renzi ka komentuar këtë rezultat përmes portalit të tij zyrtar ku shkruan:

“68% të votave , shifra impresionuese, rroftë demokracia e faleminderit të gjithëve. Tani të gjithë t’i kthehemi punës e të gjithë së bashku! Përpara!”

Më datë 7 maj do të jetë Asamblea Kombëtare e kësaj force politike e cila në mbyllje të Kongresit Kombëtar do të shpallë zyrtarisht fituesin e këtyre zgjedhjeve, pra liderin e ri të PD.
Sigal