Itali/ Përplasja e helikopterit me avionin e vogël, shkon në shtatë numri i viktimave

446
Sigal

Shërbimet e emergjencës malore italiane gjetën gjatë ditës së sotme trupat e dy personave të zhdukur, pasi një helikopter dhe një aeroplan i vogël u përplasën mbi një akullnajë në Alpet e shtetit fqinj një ditë më parë, duke e çuar në shtatë numrin e viktimave.

Përplasja ndodhi mbi akullnajën e Rutorit pranë La Thuile, në Luginën e Aosta, pranë kufirit verior të Italisë me Francën dhe Zvicrën.

Pesë persona u konfirmuan të vdekur dhe dy të plagosur gjatë ditës së djeshme. Dy personat që mbetën të zhdukur u gjetën pasi kërkimi vazhdoi të shtunën në mëngjes.

Dy helikopterë u dërguan me personel mjekësor dhe punonjës të shpëtimit emergjent për të pastruar zonën, tha një oficer policie për CNN.

Helikopteri mbante gjashtë veta: pilotin, një udhërrëfyes alpin dhe katër skiatorë.

Tre persona ishin në bordin e avionit të lehtë, të gjithë pilotë që po stërviteshin në fluturim malor. Dy të plagosurit u shoqëruan në spital. Shërbimi i urgjencës malore të Italisë bëri të ditur dje se ata ishin të kombësisë franceze dhe zvicerane. Hetuesit tani po punojnë për të gjetur shkakun e vërtetë të këtij aksidenti fatal.