Itali – Një çift shqiptar është vënë në prangat e policisë, kapet mat me 1.5 kg heroinë në banesë

420
Sigal

Një çift shqiptar janë vënë në prangat e policisë italiane pasi u kapën me drogë në banesën e tyre. 36-vjeçari A.A. dhe 27-vjeçarja C.M janë dy shqiptarët që u arrestuan në qytetin e Modenas pasi iu sekuestruan 1.5 kg heroinë.

Karabinierët dyshuan për shqiptarin i cili pas një takimi me një banor, që rezultoi të ishte një nga klient arab, u largua me të shpejtë nga vendi i ngjarjes me makinën tip Mercedes Benz. Menjëherë autoritetet italiane vendosën ta bllokonin shqiptarin. Në xhepin e tij u gjet një qese me 5.4 gram heroinë, si dhe 590 euro para cash.

Pas kësaj, agjentët e policisë vendosën ta vazhdojnë operacionin e tyre edhe në shtëpinë e 36-vjeçarit. Partnerja e tij sapo vuri re prezencën e policisë, hodhi tre qese me heroinë mbi çati që arrinin sasinë 1.5 kg, shkruajnë mediat italiane.

Në brendësi të banesës u sekuestruan edhe mjetet për prerjen e drogës si dhe 5000 euro të fshehura në një kuti në dhomën e gjumit të çiftit. Për 36-vjeçarin do kryhen veprimet e mëtejshme nën akuzën e trafikut të drogës, ndërsa shqiptarja C.M u la me arrest shtëpie, duke marrë parasysh dhe faktin që ishte nënë e një fëmije 1 vjeç.