Itali, Kryetarja e dhomës së deputetëve pret një përfaqësi të Komunitetit Musliman

430
Kryetarja e Dhomës së Deputetëve në Parlamentin italian, Laura Boldrini, është takuar sot me një përfaqësi të komunitetit mysliman në Romë, organizues të manifestimit “Not in my name”.
Ky manifestim u organizua të dielën më 21 nëntor në dy qytete kryesore italiane Romë e Milano, në shenjë solidariteti ndaj familjarëve të viktimave të atentatit të 13 nëntorit në Paris e për tu distancuar nga terrorizmi i Shtetit Islamik, ISIS.
“Bashkimi bën forcë”, u shprehën në këtë takim përfaqësuesit e komunitetit mysliman.
“Në këtë moment duhet të jemi të fortë e të bashkuar për të mundur të keqen absolute që është terrorizmi. Kemi nevojë për impenjimin e të gjithëve e myslimanët e Italisë janë gati të japim kontributin e tyre në këtë betejë që do të jetë e gjatë dhe e vështirë”.
Kryetarja e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, Laura Boldrini, nga ana e saj u shpreh se ” terrorizmi nuk ka të bëj me fenë. Nuk do të ketë paqe afatgjatë deri sa nuk do të bindemi të gjithë se progresi i komunitetit njerëzor realizohet përmes dialogut të kulturave, civilizimeve e besimeve fetare. Kush vret duke instrumentalizuar Zotin, diskriminon miliona myslinanë në fenë e në shpirtin e tyre. Objektivi kryesor i terroristëve është përdorimi i dhunës për ngjalljen e frikës, kaosit e urrejtjes brenda shoqërisë europiane. Atentatet që plagosën Francën e Europën janë shprehje e një kërcënimi global që po godet çdo popull në botë. “
Sigal