Sigal

Duket një histori e dalë nga një film horror, por në fakt vjen nga komuna italiane Colorno dhe protagonist është një i ri shqiptar, i cili, siç raportojnë sot mediat lokale, ka përfunduar pas hekurave.

Ajo, italiane, 25 vjeçe, e papunë. Ai, 23 vjeç, me precedentë të mëparshëm për vepra penale jo të rënda, i parregullt në territorin italian dhe merrej me punë jo stabile.

Pasi u njohën në shkurt, të dy vendosën të jetonin së bashku dhe që nga ai moment filluan mosmarrëveshjet. Fyerjet e para dhe kërcënimet verbale, pastaj dhuna fizike e madje edhe ajo seksuale, me gruan e re të detyruar të qëndronte në një marrëdhënie që ajo nuk e donte më. Gjithashtu u detyrua të martohej me shqiptarin.

Ky i fundit, në fakt, për të marrë lejen e qëndrimit, donte të martohej me çdo kusht dhe e kërcënoi gruan vazhdimisht edhe me vdekje, deri sa u celebruan në qershor.

Pas dasmës, dhuna vazhdoi. Por, vëmendja e shërbimeve sociale, arriti të nxirrte në dritë se përveç problemeve ekomomike, brenda mureve të banesës ku jetonte çifti fshihej një e vërtete e dhimbshme. Mbështetja a tyre i dha kurajë vajzës që të denonconte shqiptarin.

Kthesa u shënua më 10 shtator, kur pas abuzimit të fundit ndaj saj, 25-vjeçarja iu drejtua shërbimeve sociale. Këta të fundit e shoqëruan në spital dhe më pas në stacionin e karabinierëve të Colorno, ku ajo bëri denoncimin ndaj partnerit, që kohën e fundit, duke qenë edhe i papunë, e kontrollonte vazhdimisht.

Hetimet e karabinierëve çuan në pranga shqiptarin më 17 shtator dhe tashmë ai ndodhet në burgun e Parmas. Identitetet e protagonistëve të ngjarjes, nuk bëhen me dije nga medita italiane.