ISIS përdor gaz helmues kundër kurdëve në Siri dhe Irak

464
Grupi militant Shteti Islamik ka përdorur gaz helmues në sulmet në fund të qershorit, në zonat e kontrolluara nga kurdët në Siri dhe Irak, ka thënë milicia kurde dhe grupi monitorues sot. Dy organizata me seli në Mbretërinë e Bashkuara, të cilat kanë hetuar sulmet, kanë konfirmuar se militantët e Shtetit Islamik kanë përdorur armë kimike kundër forcave kurde dhe civilëve në Siri dhe Irak. Ata thanë se agjentët kimikë janë përdorur gjatë sulmeve kundër kurdëve në Peshmerga më 21 dhe 22 qershor.
Forcat kurde janë duke luajtur një rol të rëndësishëm në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik në Siri dhe Irak, të cilët po dëshirojnë që të ndërtojnë “kalifat”.Milicia kurde YPG në Siri tha se grupi militant kishte hedhur “predha kimike të improvizuara” më 28 qershor, në zonat e kontrolluara nga ta në qytetin Hasaka dhe në pozicionet e kurdëve në qytetin Tel Brak në Siri. Ky është sulmi i parë i tillë i Shtetit Islamik kundër kurdëve ka thënë zëdhënësi i milicisë Redur Xelil.
Lloji i kimikatit që është përdorur akoma nuk është përcaktuar saktësisht, ka thënë ai, duke shtuar se asnjëri nga luftëtarët kurdë nuk ka vdekur nga helmimi i gazit, pasi që ata ishin dërguar shpejt në spital. Shtëpia e Bardhë ka thënë se është në dijeni të raporteve se janë përdorur armë kimike por është duke pritur për informacione më të detajuara. Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut ka thënë se gjithashtu kanë dokumentuar përdorumin e gazit helmues nga militantët e Shtetit Islamik, gjatë sulmeve të tyre në fshatërat afër Tel Brak më 28 qershor.
Në raport gjithashtu thuhet se 12 luftëtarë kurdë i janë ekspozuar gazit helmues. Vëzhguesi Sirian gjithashtu ka njoftuar se ka marrë raporte se gaz helmues është përdorur edhe në sulmet në qytetin Hasaka por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.
Sigal