ISIS kërcënon me sulme Universitetin e Prishtinës

519
Një letër e shkruar me dorë “Do t’ju sulmojmë më 15 Shkurt. Shihemi te Zoti”, e lenë në një nga korridoret e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës, ka ngritur alarme se përkrahësit e grupit terrorist ISIS në Kosovë janë duke organizuar një sulm. 

Për letrën Policia e Kosovës është njoftuar të martën, derisa një ditë pas kanë dalë për të treguar detajet e saj, në një konferencë për media. 

“Letra është gjetur në njërën nga tavolinat e objektit të Fakultetit Filologjik”, tregoi zëdhënësi i Policisë për Prishtinë, Agron Borovci. 

Ai tha se policia është duke punuar dhe analizuar përmbajtjen e kësaj letre. 

“Përmbajtja e letrës i është drejtuar vetëm një institucioni”, tha Borovci. 

“Policia rastet e tilla nuk i neglizhon. Deri më tani policia ka intervistuar disa persona. Derisa disa të tjerë po i heton”, ka shtuar tutje zëdhënësi i Policisë, në konferencën e thirrur për media. 

Tutje, Burovci tregoi se Policia si provë ka marrë kamerat e sigurisë së objektit të fakultetit, por nuk ka konfirmuar nëse ndonjë prej të dyshuarve që ka lenë letrën është student i fakultetit Filologjik. 

Ndryshe, kjo letër ka detyruar drejtuesit e UP’së që ceremoninë e 47 vjetorit të themelimit të Universitetit “Hasan Prishtina”, të mërkurën, ta mbajnë në një nga sallat e Rektoratit, e jo në sallën e madhe të Fakultetit Filologjik, ku ishte paraparë të organizohej. 
Sigal