Ish-Shefi i Antidrogës në Finlandë, 10 vite burg, trafikoi hashash

455
Sigal

Në Finlandë ndodh edhe kështu: të arrestohet
pikërisht ish-kreu i Antidrogës së kryeqytetit Helsinki, veç akuzave të tjera
edhe për trafikim droge.

Një gjykatë finlandeze e ka dënuar ish-kreun e policisë së Antidrogës, Jari
Aarnio, me 10 vite burgim, pasi u vërtetua se ai ka ndihmuar një bandë të
trafikut të narkotikëve të importonin në Finlandë rreth 800 kg hashash nga
Holanda, për ta shitur atë më pas gjatë viteve 2011-2012.

Aarnio, 59 vjeç, është shpallur fajtor për 5 akuza penale në lidhje me lëndët
narkotike, si dhe për 17 shkelje të tjera, përfshi këtu edhe kërcënimin ndaj
një të dyshuari. Përpara se të arrestohej në vitin 2013, ai kishte kaluar një
karrierë të gjatë 30-vjeçare në forcat e Antidrogës.

E megjithëse ai mohon kategorikisht të gjitha akuzat, Aarnio rezulton i dënuar
edhe për një tjetër çështje në shtator të këtij viti, dënim me 3 vite heqje
lirie për “mashtrim”.

Përqindja e krimeve është relativisht e ulët në Finlandë, krahasuar me vendet e
tjera europiane. Vendi renditet si i dyti më pak i korruptuar, pas Danimarkës,
në indeksin global të hartuar nga “Transparency International”.