Ish-presidenti rumun Ilinescu para drejtësisë, rihapet dosja

473
Ish-presidenti rumun Ion Iliescu akuzohet për krime kundër njerëzimit. Ai duhet të përgjigjet para gjyqit për shtypjen me dhunë të një revolte anti-komuniste në vitin 1990.
85 vjeçari Ion Iliescu, ish-president i Rumanisë akuzohet se në vitin 1990 thirri mijëra punëtorë minierash nga Rumania perëndimore në Bukuresht për t’iu dhënë fund protestave anti-komuniste të opozitës.
Gjatë ndërhyrjes brutale të minatorëve, e njohur në historinë rumune me emrin “Mineriade” u vranë së paku vetë, mbi 1000 të tjerë u lënduan. Komunisti i vjetër Iliescu mori pushtetin në dhjetor 1989, pas rënies së regjimit të diktatorit Nicolae Caeausescu, dhe në majin e 1990-s u zgjodh me shumicë president i vendit.
Opozita e re liberal-demokrate bëri fjalë për manipulime të rënda gjatë procesit të përgatitjes së zgjedhjeve dhe bëri thirrje për protesta paqësore të vazhdueshme në qendër të kryeqytetit Bukuresht. Shumë të rinj ngritën çadrat në prill të vitit 1990 në sheshin e universitetit dhe e deklaruan këtë zonë si “zona e çliruar nga neo-komunizmi”.
Protestat drejtoheshin kundër atyre komunistëve që ndërruan shpejt krah dhe anëtarëve të shërbimit sekret rumun të shkrirë, por të kudogjendur në aparatin shtetëror.
Në 13 qershor 1990 mijëra minatorë ndoqën thirrjen e pushtetarëve të rinj dhe i sulmuan brutalisht demonstruesit. Në shënjestër u vunë njerëzit me pamje “intelektuale”, ata që mbanin syze, studentë me mjekra apo flokë të gjata, njerëz të veshur mirë u sulmuan me shkopinj e shufra hekuri. Dy ditë më pas protesta paqësore përfundoi me gjakderdhje. Iliescu falënderoi minatorët dhe i cilësoi ata si “shpëtimtarë të demokracisë së re”.
Rihapet dosja “Iliescu”
Që në vitin 2005 u ngritën akuzat kundër Iliescut për shkak të “Mineriade”-s, dy vite më vonë procedura u mbyll. Iliescu, vetë president në vitet 1990-1996 dhe 2000-2004 ka theksuar disa herë se lidhur me këto ngjarje ai nuk ka bërë asgjë që të akuzohet. Prokuroria e Përgjithshme e Bukureshtit e ka hapur sërish rastin tani, pasi Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut (EGMR) ngriti akuza ndaj Rumanisë për shkak të disa gabimeve në hetime.
Akuza sot: Krime kundër njerëzimit. Iliescu akuzohet zyrtarisht se si kreu i shtetit është bashkëpërgjegjës për dhunën kundër kundërshtarëve të qeverisë dhe vdekjen e katër personave. Bashkë me të është akuzuar edhe ish-shefi i shërbimit sekret, Virgil Magureanu. Hetime po zhvillohen edhe kundër qeveritarëve të tjerë të asaj kohe.
Zbardhja e së shkuarës
“Mineriade” nga data 13-15 gusht 1990 konsiderohet si kulmi i përgjakshëm i një serie masash represive kundër opozitës liberal-demokrate të sapoformuar. Pushtetarët e rinj të mbledhur rreth komunistit të reformuar, Ion Iliescu pas rrëzimit të diktatorit morën menjëherë kontrollin mbi institucionet shtetërore – edhe mbi televizionin e radion – dhe çfarëdolloj forme opozitare demokratike dhe anti-komuniste e damkosnin si ekstremiste të djathtë apo fashiste. Që në shkurt 1990 në aksionet e protestës të partive liberale e konservatore të sapoformuara qeveria kishte mundësuar ardhjen në kryeqytet të minatorëve. Atëherë u deklarua se minatorët kishin ardhur me vullnetin e tyre për mbrojtur “arritjet” e Revolucionit të dhjetorit 1989.
Tani që dosja “Mineriada” rihapet sërish me presionin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut shumë nga viktimat shpresojnë në fitoren e drejtësisë dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Për këtë nuk ka garanci, pasi drejtësia rumune ndjek nganjëherë rrugë të çuditshme. Por për demokracinë rumune do të ishte një hap i rëndësishëm pas një procesi të vonuar të zbardhjes së historisë së diktaturës e historisë më të re neokomuniste.
/Marre nga DW/
Sigal