Ish-Presidenti Clinton i dërgon Nishanit letër falënderimi

81

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka marrë një letër falënderimi nga ish-Presidenti Bill Clinton për pjesëmarrjen në ‘Takimin Vjetor të Nismës Globale Klinton-2013’, në të cilin shkruhet: “Shkëlqësia Juaj,

Ju faleminderit shumë që morët pjesë në ‘Takimin Vjetor të Nismës Globale Klinton 2013’! Hillary, Chelsea dhe Unë ndihemi të nderuar që u bashkuat me ne duke na dhënë mbështetjen tuaj. Takimi vjetor i sivjetshëm mblodhi më tepër se një mijë e dyqind udhëheqës dhe novatorë nga e gjithë bota, të apasionuar për të punuar për një ardhme më të mirë. Përgjatë tri ditëve, bashkësia e Nismës Globale Klinton shqyrtoi se si t’i mobilizojë partnerët dhe burimet nga të gjithë sektorët për të krijuar mundësi dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme ndaj sfidave globale të ngutshme me të cilat përballemi. Këto përpjekje po ndryshojnë mënyrat se si ne i qasemi zgjidhjes së problemit, duke i mundësuar njerëzit për të vepruar në mënyrë më të efektshme dhe me një qëllim më të madh. Që nga viti 2005 anëtarët e Nismës Globale Klinton kanë dhënë afërsisht 2500 përkushtime – të cilat kur financohen e zbatohen plotësisht arrijnë vlerën e më shumë se 87.9 miliardë dollarëve, duke përmirësuar më tepër se 430 milionë jetë njerëzish. Hillary, Chelsea dhe unë kemi besim se duke punuar së bashku që t’i kapërcejmë këto sfida që ndajmë, do të mundemi të arrijmë rezultate më të larta se kurrë ndonjëherë më parë. Pjesëmarrja juaj në Nismën Globale Klinton i jep punës sonë një domethënie të thellë dhe ne shpresojmë se ju do të vazhdoni të mbeteni i përfshirë teksa përpiqemi për të ndihmuar sa më shumë njerëz që të përjetojnë historitë më të mira të jetës së tyre.

Sinqerisht, Bill Klinton