Ish-komandanti britanik Lord West, propozon një plan për mposhtjen e ISIS-it

449
Me sulmet e Parisit, ISIS-i, nga një grup terrori rajonal dëshmoi se mund të mbjellë kaos në mbarë botën, ashtu siç bënte Al Kaeda përpara tij. Përpjekjet e koalicionit ndërkombëtar për mposhtjen e shtetit të dhunshëm islamik janë fokusuar te fushata ajrore, për sa kohë dërgimi i trupave në terren shmanget si mundësi. Por, ish-komandanti ushtarak britanik, admiral Lord West propozon një plan të qartë me 3 hapa për shkatërrimin e grupit të kthyer në kërcënimin më të madh të momentit.

Duke qenë se Shteti Islamik është më i dobët në Irak, admirali sugjeron që ai të goditet pikërisht në këtë vend, përpara se beteja të kalojë brenda kufijve të Sirisë. Kurdët, deri tani kanë bërë një punë të mirë – kujton West, – dhe nga aty ku janë pozicionuar, nuk e kanë larg fortesën e ISIS-it në Irak, Mosulin. Për admiralin duhet tentuar marrja e këtij të fundit, por mbi të gjitha, këmbëngul ai, duhen bindur fiset lokale sunite që të ndërrojnë krah. Pa mbështetjen e tyre, ISIS-i nuk mund ta ketë të gjatë. Sigurisht, për këtë do të duhet një angazhim i madh, shumë negociata dhe goxha para, por ky është realiteti ekzistues në atë pjesë të botës, vazhdon ushtaraku britanik, shkruan “tch”.

Hapi i dytë është se fushata ajrore duhet të vazhdojë. 3500 sulme ajrore janë ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara, 400 nga Rusia, 350 nga Britania, 300 nga Franca e kështu me radhë. Fakti që Shteti Islamik e ka zhvendosur qendrën e tij të komandës nga Raqqaja e Sirisë në Mosul, për t’u shpëtuar bombardimeve, për West tregon se ato kanë pasur efekt dhe duhet të vazhdojnë, madje të përforcohen.

Në Siri, sfida është më e komplikuar. Njësitë luftarake të organizatës terroriste kanë strukturën e një force ushtarake konvecionale, për arsyen e thjeshtë se radhët e tyre janë të mbushura me ish-komandantë të ushtrise irakiane dhe oficerë të regjimit të Sadam Huseinit. Trupat janë të ndara në batalione prej 500 burrash, kompanitë me 90, togat me 30. Por ISIS-i po i humbet luftëtarët e tij në betejat me kurdët dhe prej sulmeve ajrore, ndërsa numri i xhihadistëve të huaj ka rënë përgjatë këtyre muajve, nga 15.000 në 8.000 të rekrutuar.

Edhe pse Bashar al-Assad është kasapi, që masakroi popullin e vet e i lëshoi bomba thërrmuese, në këtë rast duhet negociuar me të, mendon West, për ta bindur të përdorë ushtrinë siriane kundër Shtetit Islamik. Një zgjidhje ushtarake e problemit do të kërkonte edhe përfshirjen e Rusisë dhe Iranit. Mundësia e humbjes së jetëve civile është e madhe dhe thellësisht shqetësuese, vazhdon ai, por kjo nuk duhet përdorur si arsye për të mos e shkatërruar ISIS-in.
Sigal