Isa Mustafa zgjidhet në krye të Kuvendit të Kosovës pa PDK

525
Sigal

PRISHTINE– Isa Mustafa zgjidhet kryetar i Kuvendit në seancën konstitutive të Kuvendit të Kosovës pa praninë e deputetëve të PDK, ndërsa deputetët e VV kanë abstenuar. Seanca ishte ndërprerë në pikën kur është pritur të procedohet me zgjedhjen e kryetarit të ri të legjislativit.

Ndërprerja erdhi si mungesë e kuorumit, pasi kryesuesja e seancës Flora Brovina, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës propozoi që PDK të jetë ajo që do të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Një udhëheqje e tillë e seancës nuk ishte në harmoni me rendin e propozuar të ditës nga Kryesia e kaluar e Kuvendit, e cila e kishte njohur koalicionin paszgjedhor LDK, AAK dhe Nisma si grupin më të madh.

Bazuar në këtë fakt, LDK, AAK, Nisma së bashku me Vetëvendosjen dhe një pjesë të komuniteteve u larguan nga salla.

Nga ai moment në seancë mbetën vetëm 47 deputetë, çka u konstatua si mungesë kuorumi dhe seanca u ndërpre. Por më pas, në sallë u kthyen deputetët e partive të tjera, pa PDK-në.

Por pas mbledhjes së firmave të deputetëve të koalicionit është shkarkuar me 82 vota pro, drejtuestja e seancës Flora Brovina. Pas këtij votimi, seanca u udhëhoq fillimisht nga deputetja e LDK-së, Teuta Rugova, e cila ia dha më pas kryesimin deputetes më të vjetër në sallë, Mila Vuliç nga Lista “Srpska”.

Mustafa: Do punoj në interes të qytetarëve të Kosovës
Isa Mustafa në fjalën e parë të tij si Kryetar i Parlamentit, ka siguruar të gjithë se do të jetë kryetar i të gjitha grupeve parlamentare.

“Ju falënderoj për besimin. Ju siguroj se si kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës do të punoj në interes të të gjithë deputetëve e të gjitha grupeve parlamentare. Sepse, kjo është në interes të qytetarëve të Kosovës. Do të punojmë në integrimin e pakicave. Do të siguroj që në seancën e ardhshme që në seancën të emërohen nënkryetarët që nuk janë emëruar. Do të vazhdojmë që të merremi me tema që janë në interes të qytetarëve të Kosovës, që sigurojnë zhvillim ekonomik, shtet ligjor, luftën kundër korrupsionit. Do ta përforcojmë partneritetin ndërkombëtar. Ju uroj sot betimin e juaj si deputetë dhe kërkoj bashkëpunim e mbështetje për të gjitha çështjet që janë në interes të qytetarëve të Kosovës”.

Lëvizja Vetëvendosje ka abstenuar mirëpo ka qëndruar në sallë për ta bërë kuorumin. Glauk Konjufca u votua për nënkryetar të Kuvendit me 82 vota pro, ndërsa LDK deri në seancën e rradhës nuk do të propozoj nënkryetar.

Nis me tension seanca konstituive
Që në fillim të seancës ka pasur reagime nga deputetët lidhur me shkeljen e rregullores së Kuvendit, pasi deputetët e PDK u ulën në pjesën qendrore të Kuvendit në kundërshtim me vendimin e kryesisë. Pas miratimit të raportit për ngritjen e komisionit për verifikimin e mandateve, partitë propozuan edhe emrat e tyre për kreun e Kuvendit të Kosovës. PDK ka propozuar Agim Aliun për Kryetar të Parlamentit, ish-kryetarin e Ferizajt, ndërkohë që LDK-AAK-Nisma ka propozuar Isa Mustafën.
Por lidhur me këtë çështje pati debate mes deputetëve, duke bërë që një pjesë e tyre të largohen nga salla. Deputetja Brovina bëri thirrje për kthimin e të gjithë deputetëve të sallë, por pa sukses.

E pranishme në seancë ishte edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ambasadorja e SHBA në Kosovë.

Si Partia Demokratike e Kosovës që ka 37 deputetë, ashtu edhe grupi parlamentar i koalicionit pas-zgjedhor LDK-AAK–Nisma me 47 deputetë, pretendojnë se kanë të drejtë të nominojnë kandidatin për kryeparlamentar.

Para fillimit të seancës, liderët nga të dyja palët kanë bërë thirrje për qetësi dhe mbarëvajtje të saj në mënyrë demokratike.

PDK largohet nga salla: Kryeparlamentarin ta zgjidhë Gjykata Kushtetuese
Deputetët e PDK janë larguar nga salla e Kuvendit pas debateve për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Deputeti i PDK, Hajredin Kuçi, ka kërkuar në parlament para përfaqësuesve të të gjitha subjekteve politike që çështjen e kryesuesit të Kuvendit ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Isa Mustafa propozohet për Kryetar të Parlamentit
Vjosa Osmani, deputete e LDK-së, ka propozuar në emër të Grupit Isa Mustafën për Kryetar të Parlamentit.

Ngrihet Komisioni për verifikimin e mandateve
Aktualisht, ka përmbyllur pikën e parë, atë të emërimit të Komisionit për verifikimin e mandateve me 117 vota. Në emër të komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve të deputetëve, Memli Krasniqi ka lexuar raportin e këtij komisioni.

Sipas certifikimit, renditja është kështu:
Koalicioni PDK 37 deputetë
LDK 30
VV 16
AAK 11
Srpska 9
Nisma 6
KDPT 2
Vakat 2, etj.

Ajo që ra në sy gjatë pjesës së parë të punës së Kuvendit, ishte ulja e deputetëve nëpër vendet e tyre.

Deputetët e PDK u ulën në rreshtin e mesëm, ku edhe është përcaktuar vendi për grupin më të madh parlamentar.

Sipas “Evropa e Lirë”, kryesia e kaluar dhe Sekretaria e Kuvendit atë hapësirë e kishte rezervuar për grupin LDK, AAK dhe Nisma për Kosovën, por kjo nuk është përfillur nga PDK-ja.

Grupi LDK, AAK dhe Nisma janë ulur në vendet që kishin mbajtur gjatë legjislaturës së kaluar.

Janë 120 deputetë që në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 8 qershorit, përmes subjekteve garuese siguruan ulëse për mandatin e ardhshëm të Kuvendit.

Nga përbërja etnike, Kuvendi ka 100 deputetë shqiptarë, 10 serbë dhe 10 deputetë nga radhët e minoriteteve të tjera. Kurse, nga aspekti gjinor, 30 për qind e përbëjnë femrat.

Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, Partia Demokratike e Kosovës në koalicion me disa subjekte më të vogla ka siguruar 37 vende.

Ajo pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 30, lëvizja Vetëvendosje me 16, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 11, dhe Nisma me 6 deputetë.

Në bazë të një koalicioni paszgjedhor, blloku LDK, AAK dhe Nisma janë mbledhur në një grup parlamentar, i cili tubon 45 deputetë, plus 2 të tjerë që janë regjistruar vetëm si LDK.

Por, si asnjëherë më parë, seanca po mbahet në rrethana mjaft të paqarta.

Paqartësitë nisin që nga kontestimi i pikave të propozuara të rendit të ditës nga Kryesia e kaluar e Kuvendit deri te ndarja dhe caktimi i ulëseve në Kuvend për grupin më të madh parlamentar.

Caktimi i grupit më të madh parlamentar e përcakton edhe të drejtën e kandidimit për postin e kryetarit të Kuvendit. Kurse, aktualisht janë dy blloqe, PDK-ja në njërën anë, dhe ai LDK, AAK dhe Nisma në anën tjetër, që e konsiderojnë veten si grupi më i madh.

Bazuar në propozimin për rendin e ditës që e ka bërë Kryesia e kaluar e Kuvendit, grupi më i madh parlamentar është ai i LDK-së, AAK-së dhe Nisma-s. Por, me këtë propozim nuk është pajtuar PDK-ja.

Madje, zyrtarë të PDK-së kanë paralajmëruar se mund ta iniciojnë këtë çështje menjëherë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Kurse, nga skenarët tjerë, është përmendur edhe ai i ndërprerjes së seancës në rast se tensionet dhe mosmarrëveshjet rriten gjatë seancës.

LDK-AAK-NISMA me kandidatë të përbashkët në komisionin verifikues
PDK-ja ka propozuar Memli Krasniqin, Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun ndërsa LDK-AAK-NISMA kanë propozuar një emër të përbashkët, Armend Zemajn.

Këta do të jenë anëtarët e Komisionit për verifikimin e mandateve të deputetit, e bashkë me ta do të ketë edhe deputetë që subjekteve tjera.

Kryesuesja e kësaj seance u është drejtuar deputetëve duke u thënë që secili subjekt duhet të ketë përfaqësuesin e tyre.

Ndërsa Visar Ymeri nga Vetëvendosje dhe Vjosa Osmani nga LDK-AAK-NISMA, kanë kundërshtuar uljen e PDK-së në mes, duke thënë se është shkelje e rregullores.

Marrë nga “RTK”