Isa Mustafa: Kosova ofron mundësi të shumta për investimet e huaja

395
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të vizitës në Landin e Bavarisë, ka marrë pjesë sot në një takim të organizuar në Mynih, nga Shoqata Ekonomike e Bavarisë, ku ishin të pranishëm përfaqësues të bizneseve bavareze. Në takim, ishin të pranishëm edhe ministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami, ministri i MZHE-së Blerand Stavileci dhe ministri i MPMS-së, Arban Abrashi, të cilët prezantuan në detaje kushtet e favorshme, resurset ekonomike dhe mundësitë e mëdha që ofron Kosova për investime të huaja. Bertram Brossardt, drejtues kryesor i Shoqatës Ekonomike të Bavarisë, foli për mundësitë e investimeve nga Bavaria në Kosovë, duke shprehur gatishmërinë e kësaj shoqate që të ndihmojë në këtë drejtim. Kryeministri Mustafa, para të pranishmëve të shumtë, ka prezantuar një pasqyrë të shkurtër të kushteve ekonomike në Kosovë. Kryeministri Mustafa vlerësoi investimet e konsiderueshme gjermane në Kosovë, duke bërë të ditur se Gjermania zë vendin e parë sa i përket investimeve dhe përkrahjes tepër të madhe për Kosovën, në të gjitha fazat. Mustafa, po ashtu, theksoi se investimet gjermane kryesisht kanë qenë në sektorin bankar, duke bërë të ditur se tashmë është ndërtuar një sektor shumë i fuqishëm dhe shumë i qëndrueshëm, i cili gjithnjë e më tepër po i përshtatet nevojave të ekonomisë.
Sipas tij, përparësi e Kosovës është edhe pjesëmarrja shumë e ulët e borxhit të jashtëm në GDP, i cili nuk arrin as 10 për qind të bruto produktit vendor. Kryeministri Mustafa bëri të ditur synimin e Qeverisë së Kosovës për investime në sektorin e prodhimit, në përpunimin dhe finalizimin e produkteve bujqësore. Ai po ashtu tha se Qeveria e Kosovës është e interesuar që të ketë investime në fushën e energjetikës, në fushën e minierave dhe mineraleve, në shfrytëzimin e tyre dhe finalizimin e tyre dhe po ashtu edhe në konceptimin e mënyrës se si të zhvillohen këta sektorë, duke theksuar gatishmërinë për bashkëpunim me bizneset gjermane në këtë drejtim. Duke folur për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, kryeministri Mustafa e quajti shans të madh, i cili do të bëjë që të ketë prezencë të produkteve kosovare në tërë tregun e BE-së. Duke folur për infrastrukturën bazike, kryeministri e quajti përparësi të madhe, duke i njoftuar për projektet në këtë drejtim. “Është fjala për infrastrukturën rrugore, për infrastrukturën hekurudhore, për aeroportet të cilat lidhin kryeqytetet e vendeve tona, dhe në këtë aspekt jemi të bindur se e gjithë ajo infrastrukturë që po ndërtohet tek ne, po bëhet sipas standardeve evropiane”, tha kryeministri Mustafa. Përfaqësuesit e bizneseve në këtë takim, kanë shtruar pyetje dhe kanë marrë përgjigje nga kryeministri Mustafa dhe ministrat prezentë për shumë çështje që lidhen me kushtet dhe mundësitë e investimeve në Kosovë, infrastrukturën ligjore dhe aspektet tjera infrastrukturore, si dhe çështjet e tjera që lidhen me ambientin e të bërit biznes në Kosovë.
Gjatë ditës, kryeministri Mustafa dhe delegacioni qeveritar i Kosovës kanë vizituar kompaninë BMW World, ku u takuan me drejtuesit e kësaj kompanie si dhe kompaninë MAN AG, që prodhon kamionë për tregun botëror. Gjatë takimeve, kryeministri Mustafa u informua për proceset e prodhimit dhe arritjet e këtyre dy kompanive, ku ka kërkuar nga drejtuesit e tyre që të shqyrtojnë mundësitë për investime dhe hapje të ndonjë linje prodhuese në Kosovë, duke prezantuar kushtet e favorshme që ofron Kosova në shumë aspekte. Kryeministri Isa Mustafa u takua në Mynih edhe me diplomatin e shquar gjerman, Wolfgang Ischinger.
Sigal