Irani zgjedh Presidentin, Hassan Rouhani kërkon një mandat të dytë

66
54 milionë qytetarë iranianë me të drejtë vote do të zgjedhin sot Presidentin e ardhshëm të vendit, ndërsa Hasan Ruhani është në kërkim të një mandati të dytë. Rivali më i ashpër i Presidentit në detyrë është Ebrahim Raisi, një klerik 56-vjeçar me pikëpamje konservatore. Në fjalën e mbajtur për mediat gjatë votimit, kandidatët kërkuan pjesëmarrje masive në zgjedhje.

Qytetarët iranianë po u drejtohen sot qëndrave të votimit në kuadër të zgjedhjeve presidenciale, ndërsa Hasan Rouhani do të kërkojë rizgjedhjen për një mandat të dytë.

68-vjeçari është një klerik i moderuar, ndërsa një prej arritjeve të tij në arenën ndërkombëtare është negocimi i një marrëveshjeje mjaft të rëndësishme për armët bërthamore, akord që u arrit me fuqitë e mëdha në vitin 2015.

Në garë ndodhen edhe tre kandidatë të tjerë, por rivali më i ashpër i Ruhanit është Ebraim Raisi, një klerik 56-vjeçar me pikëpamje konservatore.

Ai ka qënë një ish-prokuror dhe njihet për lidhjet e tij të afërta me liderin suprem, Ajatollah Ali Khamenei. Ekpertët shprehen se presin një duel të fortë mes tyre.

Në rast se asnjë prej kandidatëve të ditës së sotme nuk do të arrijë të fitojë më shumë se 50% të votave, dy më të votuarit do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që mbahet javën e ardhshme.

Qëndrat e votimit janë hapur që në orën 8:00 të mëngjesit referuar orës lokale dhe do të qëndrojnë të tilla deri në orën 18:30.

Megjithatë, eksperienca nga vitet e shkuara ka treguar se ky orar shtyhet vazhdimisht, deri në përfudimin e rradhës së votuesve.

Mediat raportuan se të gjithë kandidatët kanë votuar. Në fjalën e mbajtur, Rouhani kërkoi pjesëmarrje masive në zgjedhje. Në këtë proçes zgjedhor, janë mbi 54 milionë qytetarë iranianë me të drejtë vote.