Irani miraton ligjin për marrëveshjen atomike

48
Parlamenti i Iranit i ka dhënë miratimin fillestar ligjit, i cili i lejon Teheranit të zbatojë marrëveshjen bërthamore me fuqitë botërore. Kjo marrëveshje, e arritur në muajin korrik, do të frenojë dukshëm aktivitetet bërthamore të Republikës Islamike, në këmbim të heqjes së disa sanksioneve ndërkombëtare. Agjencia zyrtare e lajmeve në Iran, IRNA, ka raportuar se ligjvënësit kanë miratuar në lexim të parë ligjin me 139 vota për dhe 100 kundër. Ligjvënësit e linjës së ashpër dhe mbështetësit e marrëveshjes kanë zhvilluar një debat të nxehtë përpara votimit. Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, i cili ka udhëhequr ekipin negociator të Iranit, ka thënë se Republika Islamike ka arritur qëllimet e saj.