Iran, Rouhani rizgjidhet president

501
Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani ka fituar mandatin e tij të dytë në krye të shtetit.

Nga 40 milionë vota të hedhura në kutitë e votimit, Rouhani mori thuajse 23 milionë vota ose 57% të totalit. Kundërshtari kryesor i tij, kleriku konservator Ebrahim Raisi paraqiti ankesa për parregullsi të dyshuara në votime, duke akuzuar mbështetësit e presidentit se kanë kryer akte propagande në kabinat e votimit, gjë që ndalohet me ligj elektoral.

Koha e votimit u zgjat me 5 orë deri në mesnatë, ndërkohë që pjesëmarrja shkoi në rreth 70%. Zyrtarët e zgjedhjeve thanë se kjo zgjatje e orëve të votimit është bërë për shkak të kërkesave dhe pjesëmarrjes entuziaste të votuesve.

68-vjeçari Rouhani ka premtuar një Iran me vizion të moderuar dhe e ka lidhur suksesin e tij me mbarëvajtjen e marrëveshjes bërthamore të arritur ndërmjet vendit, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera në 2015. Presidenti Trump e kundërshton marrëveshjen që ka lehtësuar sanksionet mbi vendin, por më herët gjatë kësaj jave, Shtëpia e Bardhë e rinovoi akordin.

Presidenti i rizgjedhur tashmë do të ketë një presion më të madh për të nxitur zbatimin e reformave të tij, për t’i dhënë fund ekstremizmit, për të ndërtuar ura me botën e jashtme dhe për ta rikthyer ekonominë në rrugën e duhur. Presidenti gjithashtu ka premtuar të zgjerojë liritë individuale dhe politike dhe të bëjë përgjegjëse të gjitha qendrat e pushtetit si Garda Revolucionare.
Sigal