Iran, gjykata dënon me vdekje një shkencëtar për spiunazh

652
Gjykata e Lartë e Iranit ka konfirmuar dënimin me vdekje për shkencëtarin iraniano-suedez, Ahmad-Reza Djalali, deklaroi sot prokurori i përgjithshëm iranian, Abbas Jafari Dolatabadi.
“Shkencëtari iraniano-suedez, Ahmad-Reza Djalali pranoi se kishte siguruar nëpërmjet shërbimeve të huaja të sigurisë, dokumente sekrete mbi programin bërthamor dhe të mbrojtjes të Iranit si dhe informacione mbi shkencëtarët bërthamorë iranianë”, deklaroi Dolatabadi gjatë një konference për shtyp.
“Këto dokumente ishin siguruar në këmbim të parave dhe kombësisë suedeze”, sipas Dolatabadi i cituar nga agjencia iraniane e lajmeve ISNA.
Prokurori i përgjithshëm nuk ka bërë të ditur ende se kur do të kryhet ekzekutimi i Djalali.
Djalali, i cili jeton në Suedi dhe ka punuar në Itali dhe Belgjikë, u arrestua në prill 2016 ndërsa ishte në një vizitë në Iran, në vendin e tij të lindjes.
Grupi i organizatës për të drejtat e njeriut “Amnesty International” ka akuzuar Iranin për marrjen e një informacioni duke përdorur torturën dhe kërcënimet.
Javën e kaluar, Djalali deklaroi gjatë një interviste për televizionin shtetëror iranian se i kishte siguruar Izraelit informacione sekrete mbi programin bërthamor të Iranit.
Gjithashtu, ai është akuzuar për mbështetje të agjentëve sekretë izraelitë në vrasjen e dy shkencëtarëve iranianë.
Sigal