Irak, fiton partia anti-amerikane

701
Sigal

Zgjedhjet parlametare të Irakut janë fituar nga koalicioni që drejtohet nga ish-militanti shi-it, Moktada Al-Sadr, i cili dikur luftonte kundër ndërhyrjes së amerikanëve mbi ish-diktatorin, Sadam Husein. Diçka e tillë ka vënë në pikëpyetje qasjen që do të mbajë vendi ndaj Shteteve të Bashkuara gjatë muajve në vijim. Ndërkaq, rezultati ishte zhgënjyes për partinë e Kryeministrit në ikje, Haider Al-Abadi, e cila u rradhit si forcë e tretë politike.

Një aleancë e drejtuar nga ish-militant shi-it, Moktada Al Sadr, i cili dikur luftoi kundër ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara në Irak, ka fituar zgjedhjet parlamentare, duke vendosur në pikëpyetje linjën që do të ndjekë vendi gjatë muajve në vijim.

Al-Sadr nuk do të mund të jetë Kryeministër, pasi nuk u nominua si i tillë, por ndikimi i tij mbi kabinetin e ardhshëm qeverisës pritet të jetë i madh, në kushtet kur ai është themeluesi i koalicionit.

Zhgënjyes ishte rezultati për Kryeministrin në ikje, Haider Al Abadi, i cili u rendit si forcë e tretë politike.

Tashmë me interes do të priten bisedimet për krijiomin e një kabineti qeverisës. Al-Sadr ka sjellë pranë partisë së tij, gjashtë forca të tjera më të vogla politike, me të cilat është i aftë të qeverisë me një shumicë jo-dominante.

Ish-militanti e ka vënë theksin tek rëndësia e luftës kundër korrupsionit, që sipas tij ka përfshirë vendi.

Megjithatë, ekspertët shprehen se përpara tij ndodhet një detyre edhe më e madhe, e cila është rindërtimi i shumë qyteteve që janë shkatërruar pas një betejë të gjatë e të mundimshme kundër Shtetit Islamik.

Autoritetet ndërkombëtare kanë vënë në dispozicion fonde që mbërrijnë në 30 miliardë dollarë, por sipas qeverisë irakiane, rindërtmi do të ketë një kosto prej afro 100 miliardë dollarësh.

Gjithashtu, mbetet të shihet se cila do të jetë qasja e Al-Sadr kundrejt Shteteve të Bashkuara, në kushtet kur rreth 5.000 forca amerikane ndodhen në vend për të mbështetur ushtrinë vendase në operacione kundër organizatave terroriste.