IOM në alarm: Rruga vdekjeprurëse e Mesdheut, 1 mijë emigrantë do të vdesin këtë vit

145

Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin thotë se këtë vit do të ketë mbi 1000 vdekje të emigrantëve në Detin Mesdhe që ndan Afrikën nga Evropa.

Shifrat tregojnë se kalimi përmes Detit Mesdhe mbetet rruga më vdekjeprurëse e njohur për emigrantët në të gjithë botën.

Shifrat e Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin tregojnë se 994 burra, gra dhe fëmijë që bënë këtë udhëtim të rrezikshëm humbën jetën këtë vit. Duke marrë parasysh që kanë mbetur edhe tre muaj të tjerë deri në fund të vitit 2019, IOM thotë se numri përfundimtar i viktimave në vitin 2019 do të tejalojë një mijëshin.

Zëdhënësi i IOM-it, Joel Millman thotë se ky është viti i gjashtë me radhë që vdekjet në Mesdhe kanë arritur në mbi 1,000. Të paktën 15 mijë njërëz kanë humbur jetën në gjashtë vitet e fundit.

“Këto të dhëna, aq tragjike sa janë, përfaqësojnë numrin më të ulët të regjistruar të vdekjeve në këtë periudhë të vitit që nga viti 2014. Sidoqoftë, kjo rënie është e lidhur kryesisht me zvogëlimin e numrit të personave që bëjnë përpjekje për të bërë këtë rrugë, sesa me përmirësimin e sigurisë së kësaj rruge … që tregon se alternativa të sigurta janë urgjentisht të nevojshme për emigrantët ekonomikë”, thotë zoti Millman.

Agjencia e OKB-së për emigracionin i lidhë shumë nga vdekjet me rritjen e ndjenjave anti-emigrante dhe ashpërsimit të qëndrimeve ndaj njerëzve që ikin nga dhuna dhe varfëria.

Shifrat në raportin e IOM-it për emigrantët e zhdukur tregojnë se edhe në pjesë të tjera të botës rrugët po bëhen gjithnjë e më vdekjeprurëse për emigrantët. Organizata ka regjistruar afro 600 vdekje përgjatë korridoreve të migrimit në kontinentet e Amerikave.

IOM thotë se pret që shumë më tepër emigrantë të Amerikës Qendrore që shkojnë drejt Shteteve të Bashkuara ka të ngjarë të humbasin jetën e tyre para fundit të vitit.