Indonezi, rrëzohet avioni ushtarak, të paktën 30 të vdekur

495
Një avion ushtarak indonezian, i përdorur kryesisht për qëllime transporti, është rrëzuar në tokë pak momente pas ngritjes në ajër, duke shkaktuar të paktën 30 persona të vrarë. Ngjarja ka ndodhur në një qytet në ishullin e Sumatrës, ku avioni ka shpërthyer duke u kthyer në një top zjarri në afërsi të një zone të banuar.
Avioni i tipit “Hercules” u përplas me një hotel dhe disa shtëpi në qytetin Medan, në veri të ishullit, – bënë me dije autoritetet lokale. “Informacionet e fundit që kemi flasin për 30 të vdekur. Por numri mund të rritet”, ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Reuters”, Hisar Turnip, një zëdhënës i ekipeve të kërkim-shpëtimit.
Bilanci i viktimave mund të rëndohet, pasi autoritetet ende nuk e dinë me saktësi numrin e viktimave që ndodheshin në avion apo në tokë, në momentin që ai u përplas. Avioni ishte nisur nga baza ajrore e Medanit për në ishujt e largët Natuna dhe u rrëzua vetëm pak minuta pas ngritjes në ajër.
Sigal