Indi, vritet 50-vjeçari, plagoset i biri dyshohej se konsumonin mish lope në shtëpi

425
Një 50-vjeçar nga India veriore është vrarë pasi nisën të qarkullojnë zëra se magazinonin dhe konsumonin mish lope në shtëpi. Mohammad Akhlaq është rrahur dhe goditur me gurë nga një grup burrash në Dadri, qytet në shtetin Uttar Pradesh, të hënën në mbrëmje. Djali 22-vjeçar i Z. Akhlaq është plagosur rëndë gjatë sulmit dhe është dërguar në spital, ku siç raportohet, është ën gjendje kritike për jetën. Gjashtë njerëz janë arrestuar pasi kishin lidhje me incidentin. Policia po punon për të gjetur personin që përhapi thashethemin.
Therja e kafshëve është një temë shumë delicate në Indi, pasi kafsha konsiderohet e shenjtë nga feja Hindu, fe së cilës i përket 80% e popullsisë prej 1,2 miliard njerëz. Uttar Pradesh është një nga shtetet që i ka shtrënguar ligjet rreth therjes së lopëve, shitjes apo konsumit të biftekut. Çështja e mishit të lopës ka hapur gjithashtu shumë diskutime rreth faktit se si qeveria, mund të vendosë çfarë ka në pjatën e çdo njeriu. Familja e të ndjerit Akhlaq tha se ata mbanin mish deleje jo lope në frigorifer. Policia e ka marrë mishin dhe e ka dërguar për ekzaminim, raporton Indian Express. “Disa vendas përhapën thashethemet se familja Akhlaq mbante dhe konsumonte mish lope në shtëpi dhe ishin të përfshirë në therjen e lopëve. Nisur nga këto thashetheme, ata sulmuan shtëpinë e tyre”,- u shprehën efektivë të policisë. 
Sigal