INCIDENTI/ Si e goditën turqit anijen greke në Egje, dalin pamjet (VIDEO)

600
Një incident i rrezikshëm që shkaktoi një valë të madhe reagimesh e deklaratash mes dy shteteve ishte ai i pak ditëve më parë, kur një anije turke goditi anijen greke në afërsi të ishujve të kontestuar mes dy vendeve.
Por si ndodhi përplasja në Egje? Së fundmi mediat greke kanë publikuar pamjet që tregojnë momentin kur nga e majta e anijes greke vjen anija turke dhe gjatë ndryshimit të kursit e godet në pjesën fundore.
Ndonëse anija greke pësoi vetëm dëme materiale, çështja u raportua deri në NATO dhe mes zyrtarëve të dy shteteve u shkëmbyen replika të forta.
Pas incidentit deklaratën e parë ‘bombë’ e bëri ish-ministri i Jashtëm, Theodhoros Pangalos. Ky i fundit pohoi se një “turk i mirë është vetëm turku i vdekur”. Kaq ka mjaftuar që të ndizen gjakrat e të vijë një reagim nga Ministria e Jashtme turke e cila ka provokuar me deklaratën e saj ndaj palës greke, duke shtuar se “Ishulli Imia na përket”.
Ky mund të konsiderohet si incidenti i parë serioz mes dy vendeve gjatë muajve të fundit pas fërkimeve të shumta në këtë zonë, një mosmarrëveshje që zgjat prej dekadash mes Turqisë dhe Greqisë, mbi ishujt e pabanuar në Egje.
Konflikt ky që i vendosi të dy vendet në prag të një konflikti të armatosur në 1996 kur Ankaraja dhe Athina dërguan forcat detare në dy ishuj fqinj si shenjë e një konfrontimi të pritshëm. Më pas, të dyja vendet i tërhoqën trupat pas presionit diplomatik të shteteve të bashkuara.


Sigal