Incident në Ambasadën izraelite, vriten dy jordanezë, plagoset roja hebre

498
Një incident në Ambasadën e Izraelit në Aman të Jordanisë i ka kushtuar jetën dy jordanezëve, ndërsa një hebre është plagosur. Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e së dielës.

Ministria e Jashtme izraelite deklaroi se dy punëtorë kishin mbërritur në ambientet e misionit diplomatik për të ndërruar disa prej mobilieve, por njëri prej tyre ka sulmuar papritur një roje sigurie me kaçavidë.

Si pasojë e sulmit një nga punëtorët, një 17 vjeçar jordanez dhe qiradhënësi i ndërtesës u vranë, ndërsa roja e sigurisë u plagos. Pronari i ndërtesës mbeti viktimë e rrethanave. Sipas Ministrisë se roja kishte “vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes”.

Detajet e incidentit në kryeqytetin jordanez mbeten të paqarta. Ndërtesa është mbyllur dhe stafi është evakuuar.

Ambasada izraelite e fortifikuar rëndë është e vendosur në lagjen Rabiyeh, një pjesë e pasur e kryeqytetit.

Sipas Konventës së Vjenës të vitit 1961, tha Ministria e Jashtme izraelite, roja i sigurisë ka imunitet nga hetimi dhe arrestimi.

Incidenti vjen në një kohë të rritjes së tensioneve midis Izraelit dhe botës myslimane mbi Izraelin lidhur me vendosjen e detektorëve metalikë në xhaminë e shenjtë el-Aqsa.

Të dielën, Jordania kërkoi një takim urgjent të Ministrave të Jashtëm arabë për të diskutuar situatën.

Mijëra jordanezë dolën në rrugët e Ammanit pas namazeve të së premtes për të denoncuar masat izraelite në kompleksin e xhamisë Haram al-Sharif.

Jordania është kujdestari zyrtar i vendeve të shenjta myslimane në Jeruzalem.
Sigal